Doli haptazi kundër qeverisë Hoti, kërkohet shkarkimi i Vjosa Osmanit

13:59 | 20 Qershor 2020
Arbresh.info

Pasi doli hapur kundër partisë së saj LDK, Vjosa Osmani po kërkohet të shkarkohet nga posti i nënkryetares së partisë.

Në vend të saj është propozuar kryeministri i tanishëm, Avdullah Hoti, shkruan portali arbresh.info.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka kërkuar nga Këshilli i Përgjithshëm që të votojnë lidhur me shkarkimin apo jo të kryetares së Kuvendit të Kosovës nga pozita që mban në këtë parti.

Letra e plotë:

Datë: 20.06.2020

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së,

Ju uroj për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti. Për LDK-në, për deputetët dhe anëtarësinë e saj nuk ka objektiv më madhor sesa ta marrë përgjegjësinë për të qeverisur me vendin.

Është me vlerë të veçantë përkrahja e fuqishme nga anëtarëve të Këshillit të Pëgjjithshëm, që iu dha koalicionit qeverisës me AAK, Nisma, AKR dhe subjektet joshumicë në Kuvendin e Kosovës, sikurse edhe përkrahja për z. Avdullah Hoti për Kryeministër.

Nga 28 deputetë të LDK-së, në Kuvendin e Kosovës, në seancën e të dt 3 qershor 2020, Qeverinë e drejtuar nga LDK dhe kandidatin tonë për Kryeministër e votuan 25 deputetë të LDK-së, kurse nuk e votuan 3 deputetë, znj. Vjosa Osmani, z. Haxhi Avdyli dhe z. Fatmir Rexhepi.

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm,

Statuti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Programi i LDK-së ofron hapësirë të gjerë e te pakufi për shprehjen e lirë të mendimit të çdo anëtari të LDK-së, për betejën që çdonjëri të luftojë që ta përfitojë shumicën në organet e LDK-së për propozimin dhe mendimin e vet. Sepse, vendimmarrja në LDK i përket shumicës, si vendimmarrje demokratike.

Si Kryetar i LDK-së e kam për obligim të kujdesem për zbatimin e Statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe rrjedhimisht për zbatimin e vendimeve të organeve të LDK-së. Ju përkujtoj se Statuti i LDK-së në nenin 14, pika 14.2 shprehimisht thotë: “Anëtarët e LDK-së nuk mund të jenë në pozita, organe dhe forume të LDK-së, nëse ata publikisht refuzojnë dhe i mohojnë vendimet e organeve dhe forumeve, anëtarë të të cilëve janë”. Organet e LDK-së, sipas Statutit janë: Kuvendi i LDK-së, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, Kryetari i LDK-së dhe Kryesia e LDK-së; pastaj Forumi i Gruas së LDK-së dhe Forumi Rinor i LDKsë.

Në seancën e Kuvendit, në të cilën u votua mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti, znj Vjosa Osmani, në kundërshtim me qëndrimin e Kryesisë së LDK-së, anëtare e së cilës është, bëri apel të hapur të mos votohet mocioni i votëbesimit. Vazhdoi publikisht me kundërshtimin e koalicionit me AAK, Nisma, AKR , komunitetet joshumicë dhe të z. Hoti për kryeministër, përkundër vendimit të Këshilit të Përgjithshëm, anëtare e të cilit është, dhe faktit se ky organ e ka zgjedhur anëtare të Kryesisë dhe nënkryetare të LDK-së, me propozim të Kryetarit të LDK-së (sipas nenit 24, pika 24.1 te Statutit). Ndërkaq me dt 2 qershor, kur Kryesia e LDK-së po diskutonte për ekipin qeveritar, doli publikisht me propozim për qeveri tranzitore në marrëveshje me VV. Iku nga përgjegjësia për ta drejtuar seancën e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë të drejtuar nga LDK dhe Kryeministri Hoti, edhepse pozitën e Kryetares së Kuvendit ia siguroi LDK, me marrëveshjen për bashkëqeverisje me VV-në. Shprehet në media se kjo Qeveri nuk është e LDK-së.

Pozitën për anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, në harmoni me nenin 8, nenin 14 dhe nenin 39 të Statutit të LDK-së, të cilët kundërshtojnë publikisht vendimet dhe qëndrimet e organeve të LDK-së, ku janë edhe vet, do ta diskutojmë dhe vendosim në mbledhjen punuese të Kuvendit të LDK-së, të cilën do ta mbajmë posa të krijohen kushtet.

Situate me Covid-19 nuk lejon akoma të mblidhemi në një takim të Këshillit të Përgjithshëm, prandaj kërkoj të vendosim në mënyrë elektronike si vijon:

1. Bazuar në nenin 24, pika 24.1 të Statutit të LDK-së propozoj që z.Avdullah Hoti të zgjidhet nënkryetar i LDK-së;
2. Bazuar në nenin 24, pika 24.1 lidhur me nenin 14 pika 14.2 dhe nenit 39 të Statutit të LDK-së, propozoj që znj. Vjosa Osmani të lirohet nga pozita e nënkryetares së LDK-së dhe e anëtares së Kryesisë.

Ju lutem të votoni për:
1. z Avdullah Hoti, ​po​jo​abstenoj
2. znj Vjosa Osmani​po ​jo​abstenoj

Votimi përfundon sot (dt. 20-06-2020) deri në ora 19:00.

Me respekt
Kryetari i LDK-së
Isa Mustafa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme