Citaku takon dy të diplomuarit e West Point: Kosova e Arelenës dhe Yllit, është Kosova për të cilën kanë sakrifikuar gjenerata të tëra

08:58 | 20 Qershor 2020
Arbresh.info

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku është takuar me kosovarët Arelena Shala dhe Ylli Dalladakun, të cilët diplomuan në Akademinë Ushtarake Amerikane, West Point.

Ajo thotë që gjatë këtyre viteve si Ambasadore, një nga momentet më emocionuese për të ka qenë diplomimi i tyre.

“Kosova e Arelenës dhe Yllit, është Kosova për të cilën kanë sakrifikuar gjenerata të tëra. Kurse ata sot janë Kosova për të cilën u dha gjak, djersë e sakrificë. Me ta, dhe të rinjët si ta, ne e nderojmë bacën Xhim, dhe secilin që dha çdo gjë për Kosovën”, tha ajo.

Postimi i plotë:

Një ditë e bukur në New York

Gjatë këtyre viteve si Ambasadore e Kosovës në SHBA, një nga momentet më emocionuese për mua ka qenë diplomimi i Arelena Shalës dhe Ylli Dalladakut nga Akademia Ushtarake Amerikane, West Point.

Arelena dhe Ylli kanë lindur mes zjarrit të luftës në Kosovë. Në atë kohë, Xhim Xhema, shqiptari zemërmadh, po zhvillonte një betejë jo të lehtë në SHBA. Baca Xhim është boshti kurrizor i komunitetit tonë në SHBA. Ka ndryshuar mendjet dhe zemrat e udhëheqësve Amerikan në dobi të Kosovës, në një kohë kur emri ynë nuk mund të gjindej as në hartë.

Baca Xhim, veç tjerash, është tepër modest. Nuk pranon mirënjohje. Nuk don dekorata. Nuk ka agjendë të dytë, pos Kosovës.

Madje, baca Xhim nuk i don as fotografitë. Nuk shkon në ndeja e tubime. Por dje, në drekën e pregaditur me shumë dashuri nga familja e Kryetarit të Vatrës, z. Elmi Berisha, erdhi plot vullnet dhe kënaqësi. Madje, bëmë edhe fotografi.

Kosova e Arelenës dhe Yllit, është Kosova për të cilën kanë sakrifikuar gjenerata të tëra. Kurse ata sot janë Kosova për të cilën u dha gjak, djersë e sakrificë. Me ta, dhe të rinjët si ta, ne e nderojmë bacën Xhim, dhe secilin që dha çdo gjë për Kosovën.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme