Ndotja e madhe e ajrit gjatë stinës së dimrit është bërë një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve në Kosovë, sidomos të atyre që jetojnë në qendrat e mëdha, si dhe afër ndotësve të mëdhenj siç janë Korporata Energjetike e Kosovës, Feronikeli, Sharrcemi dhe Trepça. Shqetësimit në masë të madhe të tyre i ka kontribuar vendosja e matësve të cilësisë së ajrit në disa prej qendrave kryesore të Kosovës. Këta matës kanë treguar se në periudhën e dimrit ka ndotje të madhe të ajrit. Shkaqet e kësaj ndotjeje janë të ndryshme, duke përfshirë edhe ngrohjen me thëngjill dhe lëndë të tjera djegëse gjatë dimrit, automjetet e vjetra etj. Kohëve të fundit ndotjes së madhe të ajrit në Kosovë, i ka shërbyer edhe veprimtaria e gurthyesve. Në pesë vitet e fundit numri i gurthyesve është trefishuar ndërsa institucionet nuk kanë arritur t’i kontrollojnë në aspektin se sa ato arrijnë t’i respektojnë kushtet për mbrojtjen e mjedisit.
Për të parandaluar ndotjen në masë të madhe të ajrit gjatë dimrit deri tani janë ndërmarrë pak veprime, edhe pse është alarmuar se ndotja e ajrit në shkallë kaq të lartë ka pasoja të rënda në shëndetin e qytetarëve. I vetmi rekomandim nga institucionet përgjegjëse për qytetarët gjatë periudhës kur ndotja e ajrit është shumë e lartë në këtë rast ishte mbajtja e maskave mbrojtëse.
Edhe pse ka plane e strategji të miratuara nga institucionet për parandalimin në masë të madhe të ndotjes së ajrit, ato shumë pak janë zbatuar.
Megjithatë masat e ndërmarra për parandalimin e Covid 19 edhe pse ishin të rënda, dukshëm kanë ndikuar në përmirësimin e cilësisë së ajrit në Prishtinë dhe qendrat tjera.
Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, ka nxjerrë, një mesatare të gjendjes së ajrit të periudhës së katër mujorit të parë të vitit 2019 dhe katër mujorit të parë të vitit 2020. Nga ky krahasim vërehet se ka pasur një përmirësim shumë të madh të cilësisë së ajrit në Kosovë.
Burimet e ndotjes
Gjatë periudhës së dimrit kur ndotja e ajrit arrin në shkallë më të lartë flitet shumë se cilët janë ndotësit më të mëdhenj të ajrit. Theksohet se ekzistojnë disa ndotës të ajrit por më së shumti përmenden sidomos kur është fjala për Prishtinën si njërin ndër qytetet më të ndotura në Kosovë, prodhimi i energjisë elektrike nga termocentralet Kosova A dhe B, djegia e lëndëve djegëse për ngrohje nga amvisëritë dhe institucionet publike dhe private, komunikacioni në kuadër të të cilit hyjnë automjetet e vjetra si dhe kushtet klimatike.
Ndotja e madhe e ajrit në Prishtinë gjatë muajve të dimrit i ka bërë disa nga organizatat e shoqërisë civile në Kosovë të shohin arsyet se pse ndodh kjo. Në këto raporte theksohet se burime të ndotjes së ajrit nuk janë vetëm ato që përmenden zakonisht.
Një raport i GAP, ndonëse nuk përjashton sektorin e energjisë dhe automjetet si ndotës të ajrit, thekson se këta dy ndotës janë aty edhe gjatë verës. Në fakt thuhet në raport gjatë dimrit mund të prodhohet më shumë energji elektrike po as kjo nuk e rritë në masë të madhe ndotjen e ajrit.
Kjo organizatë vlerëson se të dhënat sugjerojnë që sektori i ngrohjes është sektor shumë i rëndësishëm në ndotjen e ajrit, dhe për fat të keq shumë shpesh është neglizhuar nga diskursi publik dhe politikat publike deri më tani.
“Në anën tjetër, për fajtorët e zakonshëm, KEK-un dhe veturat, ndonëse kanë rol kyç në ndotjen e përgjithshme, të dhënat sugjerojnë që nuk kanë rol të shtuar në sezonin e dimrit. Por, shtimi i elementit meteorologjik dhe përdorimi i druve dhe thëngjillit për ngrohje, ndikon në rritjen e ndotësve me pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve. Për këtë arsye, ne ftojmë që një vëmendje më e madhe t’i kushtohet sektorit të ngrohjes, qoftë për nga prodhimi i statistikave dhe studimeve të mëtutjeshme për përdorimin e thëngjillit dhe druve, qoftë për nga ndërmarrja e masave dhe politikave adekuate për zvogëlimin e ndotjes që vjen nga ky sektor”, thuhet në raport.
Me këtë vlerësim të Institutit GAP, pajtohet edhe kryeshefi ekzekutiv i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, Ilir Morina. Ai thotë se thëngjilli është i një cilësie shumë të dobët po që fatkeqësisht përdorët shumë për ngrohje nga qytetarët, madje për një kohë të gjatë kjo lëndë djegëse është përdorur për ngrohje edhe nga institucionet e Kosovës sidomos shkollat.
Ndotja e ajrit mund të këtë pasoja shumë të rënda në shëndet. Sipas një raporti mbi cilësinë e ajrit në Kosovë të KADC, (Kosovo Advocacy & Development Centre), ndotja e ajrit mund ta dëmtojë në masë të madhe shëndetin e qytetarëve. Në raport theksohet se ekspozimi i gjatë ndaj grimcave PM 2.5 mund të paraqes problem afatgjatë për shëndetin e qytetarëve.
“Në aspektin e shëndetit publik dallimi mes grimcave PM10 dhe PM2.5 është shumë i rëndësishëm. Grimcat PM2.5 konsiderohen një rrezik më i madh sesa grimcat PM10 për shëndetin publik, veçanërisht në aspektin e vdekshmërisë dhe të ekspozimit afatgjatë, pasi që ato depërtojnë më thellë në mushkëri”, thuhet në raport.
Ekspozimi afatshkurtër dhe afatgjatë sipas raportit ndaj grimcave PM10 dhe PM2.5 shkakton sëmundje kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes duke përfshirë edhe përkeqësimin e astmës dhe simptomave të frymëmarrjes, si dhe vdekjet nga sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceri i mushkërive.
Ndërkaq ekspozimi sipas këtij raporti ndaj NO2 mund të rrisë mundësinë e problemeve me frymëmarrje, uljen e funksionimit të mushkërive, dhe rrisë infeksionet e frymëmarrjes.
“Ekspozimi afatgjatë ndaj NO2 është poashtu i lidhur me infeksionet respiratore në fëmijëri dhe peshën e ulët të lindjes”, thuhet në këtë raport.
Pak masa për ngritjen e cilësisë së ajrit
Vendosja e matësve të cilësisë së ajrit në disa nga qendrat më të mëdha të Kosovës, ka bërë që të rritet vetëdija e qytetarëve dhe rëndësia që ka për jetën e tyre cilësia më e mirë e ajrit. Mirëpo kjo vetëdije nuk ka bërë që të ndërmerren masa më të mëdha nga autoritetet në zvogëlimin e mundësisë së ndotjes së ajrit nga ndotësit më të mëdhenj.
Morina thotë se pas identifikimit të ndotëseve të mëdhenj, nga institucionet e nivelit qendror dhe lokal kanë filluar të ndërmerren disa masa. Njëra prej tyre thotë se ka ndodhur në Komunën e Prishtinës ku janë blerë autobusët e rinj të trafikut urban. Një masë tjetër sipas tij është ndalesa për institucionet publike përfshirë këtu edhe shkollat që të ngrohen me thëngjill.
Ka edhe një projekt tjetër të mirë sipas tij që është duke u zhvilluar e ai është futja e një pjese të ndërtesave në Prishtinë në rrjetin e Termokosit.
Morina kujton aksionin që ishte ndërmarrë në vitin 2018, nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për largimin e thëngjillit nga tregjet dhe nga amvisëritë aty ku ka pasur mundësi. Ky aksion nuk është përsëritur edhe në vitet pasuese.
Megjithatë sipas tij ka mbetur shumë punë pa u bërë. Njëra prej masave që mund të bëhej shpejt Morina thotë se është largimi i shitësve të thëngjillit nga rrugët. Faktit që thëngjilli kushton lirë dhe përdorët nga qytetarët me kushte më të rënda materiale për ngrohje, mund t’i përgjigjet shteti, duke i liruar ata nga pagesat e energjisë elektrike. Kjo sipas tij kushton më pak në krahasim me pasojat që do t’i kemi në afatgjatë nga ndotja e ajrit.
Në afatgjatë thotë se duhet të mendohet që energjia elektrike mos të prodhohet vetëm nga thëngjilli po të përdorën edhe mënyrat tjera alternative si prodhimi i kësaj energjie nga era etj.
Morina thekson se shumë shpejt Kosovës do t’i kërkohet që të bëjë më shumë në mbrojtjen e mjedisit si kusht për anëtarësimin në BE.
Disa nga rekomandimet që i ka dhënë shoqëria civile për mbrojtjen e mjedisit janë përveç largimit të thëngjillit nga përdorimi edhe largimit të automjeteve të vjetra. Po ashtu është konsideruar si një hap shumë i rëndësishëm mos lënia e hyrjes së veturave në Prishtinë. Njëra prej alternativave është përmendur shtrenjtimi i parkingjeve për vetura. Tjetër alternativë është përmendur të jetë zhvillimi i transportit publik si dhe ngritja e infrastrukturës për çiklistët.
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...