Google ADS

Krasniqi: Besimi në SHBA-të, nuk varet vetëm nga njëri partner që kërkon marrëveshje

20:17 | 18 Qershor 2020
Arditë Shkodra

Ish- kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi konsideron se besimi në SHBA-të, nuk varet vetëm nga njëri partner që kërkon marrëveshje.

“Secili nga brezi ynë i politikës së tridhjetë viteve të fundit që i ka përcjellë sado pak zhvillimet politike në mes Kosovës e Serbisë, e dinë se rezultatet e të gjitha bisedimeve në mes palës serbe e shqiptare, asnjëherë nuk janë varur nga ajo se: a u kemi besuar ne, shqiptarët apo jo, SHBA-së e BE-së, por kanë qenë të varura nga pala serbe e cila ka ushtruar mbi të tjerët politika gjenocidi, sesa ajo e përfaqësuesit e saj u kanë besuar SHBA-së e BE-së”, thotë ai.

Postimi i tij i plotë:

BESIMI NË SHBA-TË, NUK VARET VETËM NGA NJËRI PARTNER QË KËRKON MARRËVESHJE

Secili nga brezi ynë i politikës së tridhjetë viteve të fundit që i ka përcjellë sado pak zhvillimet politike në mes Kosovës e Serbisë, e dinë se rezultatet e të gjitha bisedimeve në mes palës serbe e shqiptare, asnjëherë nuk janë varur nga ajo se: a u kemi besuar ne, shqiptarët apo jo, SHBA-së e BE-së, por kanë qenë të varura nga pala serbe e cila ka ushtruar mbi të tjerët politika gjenocidi, sesa ajo e përfaqësuesit e saj u kanë besuar SHBA-së e BE-së.

Ne, si brezi në shkuarje, gjatë këtyre tri dekadave kemi parë të zhvillohen bisedime në mes Kosovës e Serbisë që nga vitet e ’90-ta. I patë filluar Ibrehim Rugova me ndërmjetësimin e Shën Egjidios, pat marrëveshje të nënshkruar për Arsimin, por kurrë të realizuar. Madje, i njëjti bisedimet i pat filluar edhe në vitin 1998, kur në Kosovë vlonte lufta çlirimtare, por pa asnjë rezultat. E gjithë kjo është e ditur.

Kur në vitin 1998/1999 dështuan të gjitha përpjekjet për ta eliminuar politikisht e ushtarakisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, kur u thellua kriza politike e humanitare, OKB e sidomos Grupi i Kontaktit u interesuan seriozisht për zgjidhjen e çështjes së Kosovës për gjetjen e një zgjidhje politike. Në fakt zgjidhja politike nuk erdhi, por erdhi zgjidhja ushtarake me ndërhyrjen edhe të NATO-s, kuptohet pasi pala serbe në krye me kriminelin Millosheviq nuk e pranuan Dokumentin Përfundimtar të Konferencës Ndërkombëtare të Rambujesë për Kosovën. Refuzimi i Millosheviqit solli Bombardimet 78 ditësh të NATO-s. Delegacioni i Kosovës në Rambuje edhe atëherë e kishte besimin në SHBA e BE, por këtë besim nuk e kishte në Botën Demokratike Serbia, nuk e kishte dje nuk e ka as sot.

Pas çlirimit të Kosovës u vendos Administrimi Ndërkombëtar në Kosovë, i njohur si UNMIK. Vetëm pas gjashtë viteve, kuptohet pas ngjarjeve të marsit 2004, Komuniteti Ndërkombëtar filloi të merrej seriozisht për definimin e Statusit Politik të Kosovës. Kështu më 20 shkurt 2006 filluan Bisedimet e Vjenës, të cilat bisedime përfunduan në vitin 2007 dhe përfunduan me Dokumentin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Përfundimtar të Kosovës. Bashkë me Dokumentin, Presidenti Ahtisari KS të OKB-së i propozoi: Pavarësi të Mbikëqyrur për Kosovën. Edhe në këto bisedime pala e Kosovës kishte besim në SHBA-të e BE-në, por, përsëri ishte pala serbe me ndihmën e Rusisë që nuk e njohën Dokumentin e Ahtisarit. Pra ishte pala serbe si atëherë ashtu edhe tani që nuk u besonte SHBA-së e BE-së, por Rusisë nga e cila edhe tani po merr dorë të Putini e Llavrovi para se të shkojnë në Uashington.

Edhe tani, në Uashington, rezultati i këtij takimi nuk varen nga besimi që Kryetari Thaçi ka për SHBA-të e BE-në, por sa Vuçiqi e Daçiqi ju besojnë këtyre të fundit. Derisa përfaqësuesit e Serbisë i besojnë Rusisë, zgjidhja e duhur dhe e pranueshme për Kosovën është ende tepër larg. Ndërsa palës sonë nuk besoj që ju konvenon një zgjidhje që e pranon Rusia e Serbia marrë se bashku. Këtu Thaçi e Hoti, duhet të jenë më shumë sesa të vëmendshëm?! Prandaj konsensusi politik për këtë çështje ishte i domosdoshëm! Edhe në këtë çështje jemi shumë keq.

Edhe në këtë rast, shpresa jonë mbetet të ajo e marsit të vitit 1999!

Të ngjashme