Turneu i Madh i Shteteve të Bashkuara US Open do të mbahet rregullisht sipas kalendarit të planifikuar, por pa praninë e spektatorëve. Slam-i Amerikan do të zhvillohet kështu pikërisht në datat e përcaktuara në Flushing Meadows, por me dyer të mbyllura dhe nën një regjim të fortë masash shtrënguese.
Lajmi u bë zyrtar pas bisedimeve me guvernatorin e New York-ut Andrew Cuomo, që dha më në fund aprovimin e tij për zhvillimin e edicionit të sivjteshëm, për më tepër një vit jubilar, pasi bëhet fjalë për edicionin e 140 të turneut të madh US Open. Sezonin e kaluar gjithçka ishte ndryshe dhe Rafael Nadal ia doli mbanë për të mposhtur në Stadiumin Arthur Ashe 6-4 në setin final rusin Daniil Medvedev, pas një beteje që zgjati plot 5 orë. Turneu i sivjetshëm njujorkez do të mbahet sipas datave të programuara, pra nga 31 gushti deri më 13 shtator, në Kompleksin Flushing Meadows – Corona Park në Queens, më saktë në Qendrën Tenistike Kombëtare të Federatës së Shteteve të Bashkuara, që mban emrin e sportistes legjendare amerikane, Billie Jean King.
Tenistëve iu është plotësuar kushti i lëvizjes së lirë, bashkë me pjesëtarët e tjerë të stafit, sidoqoftë duke marrë në konsideratë deklaratat e shumta gjatë këtyre kohëve jo të gjithë tenistët apo tenistet do të marrin pjesë, për shkak të frikës së përhapjes së pandemisë së koronavirusit. Vetëm ditën e martë në Shtetet e Bashkuara u regjistruan 25.450 raste, ndërsa 849 vetë humbën jetën si pasojë e virusit COVID-19. Shtetet e Bashkuara kanë më shumë se çerekun e rasteve që janë regjistruar në gjithë globin, plot 2.2 milionë raste infektimi, prej të cilëve 119.000 kanë rezultuar fatale, kështu që frika e tenistëve është e kuptueshme dhe plotësisht e justifikueshme, për më tepër sezoni në këtë sport është ndërprerë që në ditët e para të muajit mars dhe pritet të rifillojë në fillimin e muajit gusht.
Ka shumë pakënaqësi dhe frikë në lidhje edhe me vendin ku do të zhvillohet edicioni i sivjetshëm për shkak të shifrave shumë të larta të të prekurve nga pandemia e koronavirusit që ka New York-u, pavarësisht masave tepër të forta shtrënguese dhe izolimit që imponoi guvernatori i këtij shteti Andrew Cuomo. New York-u, qyteti më i populluar amerikan numëron 30.000 viktima, pra çerekun e vdekshmërisë në Shtetet e Bashkuara. Një pjesë e tenistëve më të rëndësishëm kanë deklaruar se janë duke e vlerësuar mundësinë për të mos marrë pjesë sivjet në Flushing Meadows. Spikat te meshkujt numri 1 i botës Novak Djokovic, ndërsa te femrat kanë dyshime të forta në lidhje me pjesëmarrjen dy tenistet më të forta për momentin, numri 1 i botës, australiania Ashleigh Barty si dhe numri 2 I klasifikimit të përgjithshëm WTA, tenistja rumune Simona Halep.
Duke patur parasysh rrethanat si dhe gjendjen e jashtëzakonshme, pas bisedimeve me Guvernatorin Andreë Cuomo këtë herë organizatorët kanë vendosur që edicioni i sivjetshëm në US Open të mos ketë fare ndeshje kualifikuese, por gjithashtu këtë radhë në Neë York nuk do të ketë më sfida në “mixed doubles”, pra ndeshje në lojën dyshe ku luajnë femra dhe meshkuj bashkë. Drejtuesi i Federatës së Tenisit në Shtetet e Bashkuara Mike Doëse deklaroi se pjesëmarrësit kanë një rast shumë të mirë për të provuar se tenisi është pikërisht sporti i duhur për të respektuar masat e distancimit social. Organizatorët kanë bërë të ditura në rrjetet sociale masat e forta që do të merren si dhe plani i sigurisë që duhet respektuar nga tenistët pjesëmarrës.
Sportistët që do të udhëtojnë drejt New York-ut do të kenë në dispozicion nga dy dhoma, në një hotel të përzgjedhur jashtë Zonës së Manhattan-it. Nuk do të lejohet qëndrimi i më shumë se dy personave në të njëjtën dhomë, gjithsesi tenistëve iu lejohet gjithashtu edhe mundësia për të marrë me qira një apartament apo shtëpi private përsëri jashtë Zonës së Manhattan-it, ambiente që kuptohet do të paguhen me shpenzimet e tyre. Lojtarët nuk janë të detyruar për t’iu nënshtruar patjetër regjimit të karantinimit, në momentin e hyrjes në territorin e Shteteve të Bashkuara, por sidoqoftë ata do të testohen përpara se të fillojnë aventurën e tyre në Flushing Meadows. Testimet do të kryhen një ose dy herë në javë për gjithë periudhën e tyre të qëndrimit dhe sportistëve do t’u matet gjithashtu përditë edhe temperatura.
Çdo njeriu të pranishëm, përveç tenistëve që luajnë në fushë apo stërviten në ambientet përreth iu kërkohet pajisja e detyrueshme me maskë. Do të përgjysmohet numri i sportistëve pjesëmarrës në lojën dyshe si te meshkujt ashtu edhe te femrat, nga 64 në 32. Sportistët pjesëmarrës do të kenë ambiente shtesë në dhomat e tyre të zhveshjes, për të reduktuar në minimum mundësinë e infektimit. Tenisti problematik australian Nick Kyrgios i ka quajtur egoistë drejtuesit e turneut US Open, pas insistimit të tyre të gjatë për ta zhvilluar patjetër edicionin e sivjetshëm të Slam-it New York-ez, duke dalë hapur në mbrojtje të numrit 2 të botës, spanjollit Rafael Nadal, që më herët ka thënë se ka fare pak dëshirë për të luajtur këtë vit në Flushing Meadows.
Nole deklaroi se e ka të pamundur për të marrë me vete thjesht një person të vetëm nga gjithë ai staf që ka tenisti serb, gjithsesi organizatorët ende nuk e kanë saktësuar se sa persona do të lejohen në ambientet e brendshme të Kompleksit në Flushing Meadows. Një tjetër ndryshim është se Mastersi i Cincinnati-t këtë herë për shkak të situatës së pandemisë së koronavirusit nuk do të mbahet në Ohio por në New York, pikërisht në Kompleksin Billie Jean King, nga data 22 deri më 28 gusht. Federata e Tenisit në Shtetet e Bashkuara ka në dispozicion plot 60 milionë dollarë, e pjesa më e madhe e këtyre parave do të shpërndahet pikërisht për turnetë e meshkujve dhe të femrave që do të marrin pjesë në edicionin e sivjetshëm, por sidoqoftë 6.6 milionë nga kjo shumë do të shërbejë që Federatat ATP dhe WTA të kompensojnë tenistët apo tenistet që preken nga masat e marra nga organizatorët, për të kufizuar në numër sportistët pjesëmarrës.
Gjesti rrëfen në detaje se çfarë u bë shkak i ndarjes me Xhe...
Rritet çmimi i gazit dhe elektricitetit në Britani/ Inflacio...
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë pa...
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Përhapja e fenomenit të bullizmit në shkolla
Një i lënduar në aksidentin që ndodhi në pjesën e autostradë...