Google ADS

“Kriminel dhe i shitur” – Presidenti i Feronikelit e fajëson gjyqtarin për dështimin e klubit të vet

09:05 | 18 Qershor 2020
Arbresh Info

Presidenti i Feronikelit, Naser Ramaj, ka shpërthyer në kritika dhe akuza të rënda ndaj gjyqtarit kryesor të ndeshjes së kthimit gjysmëfinale në Kupën e Kosovës mes klubit të tij dhe Ballkanit, Visar Kastrati, duke e quajtur atë kriminel dhe të shitur, pas dështimit të Niklit për ta arritur finalen e shumëdëshiruar.

Feronikeli u eliminua nga Kupa e Kosovës – të cilën e shihte si rrugën më të lehtë dhe më të mundshme për t’u kualifikuar në play-off për pjesëmarrje në Ligën e Evropës – pas barazimit 1:1 me Ballkanin të mërkurën në Drenas.

Në një ndeshje të mbizotëruar nga skuadra vizitore prej Suharekës, e cila po ashtu pretendoi se u dëmtua duke kërkuar penallti në dy raste, goli i Mirlind Dakut ishte vendimtar në përcaktimin e finalistit.

Në dy ndeshjet gjysmëfinale, barazimin pa gola në Suharekë në fillim të muajit dhe këtë të mërkure në Drenas, Ballkani ishte dukshëm skuadër më e mirë në fushë dhe e arriti finalen si rrjedhojë.

“Heroi i Ballkanit sot ishte referi kryesor i ndeshjes, Visar Kastrati, faktikisht ky ishte edhe turpi i futbollit kosovar, njeriu qe e shiti gjysmëfinalen e Feronikelit”, shkroi Ramaj në Facebook.

Ramaj shtoi: “Kjo që sot ndodhi në futbollin kosovar i jep mesazh te qartë çdo skuadre se kot investoni se janë referët ata qe vendosin se kush do fitojë ndeshjen. Kjo na bënë të qartë se drejtësi në sportin kosovar nuk ka. Bëjë thirrje organeve kompetente të hetuesisë që ta hetojnë këtë krim të futbollit kosovar, nuk jem klubi i vetëm që po kërkojmë hetime shumica prej klubeve i kanë të njëjtat dyshime, ndërsa hetuesia jonë hesht, po gjithashtu edhe federata e futbollit.

“Ky është refer i shitur, ky është edhe kriminel i futbollit të Kosovës.”

Ramaj nuk është i pari dhe i vetmi që bën akuza të rënda ndaj gjyqtarëve në futbollin kosovar.

Ndodh shpesh që klubet e Ipko Superligës të hedhin një varg akuzash ndaj gjyqtarëve sa herë që skuadrat e tyre përkatëse të dështojnë në fushë.

Ditë më parë edhe Trepça ’89 e akuzoi Kastratin për referim të njëanshëm në humbjen 2:0 ndaj liderit të Superligës, Dritës

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme