Qeveria gjermane, që drejtohet nga kancelarja Angela Merkel, thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, gjithmonë kanë pasur sukses në rajonin e Ballkanit kur kanë punuar së bashku drejt gjetjes së një zgjidhjeje, prandaj ajo thotë se do ta mirëpresë një bashkëpunim mes emisarit të Trumpit, Richard Grenell, dhe emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, sa i përket problemit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë në Washington, me ndërmjetësim të dy njerëzve të Trumpit, Richard Grenell dhe Robert O’Brien, do të zhvillohet një takim mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë.
Kjo iniciativë e Përfaqësuesit Special Presidencial për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, për takim Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë vjen në kohën kur emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka filluar tashmë vizitat e tij në rajon për të informuar palët rreth datave dhe modalitetit të vazhdimit të dialogut në Bruksel.
Lidhur me dy proceset paralele që po zhvillohen aktualisht nga Washingtoni dhe Brukseli rreth dialogut Prishtinë-Beograd kanë shkruar sot edhe mediat prestigjioze gjermane. Sipas shtypit gjerman, emisari amerikan, Richard Grenell, ka anashkaluar në tërësi BE-në në iniciativën e tij për takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë.
Për këto përpjekje të ndara të Washingtonit në njërën anë dhe të Brukselit në anën tjetër sa i përket dialogut dhe arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë – Serbi, Gazeta Express ka kontaktuar qeverinë e Gjermanisë, si një prej shteteve anëtare më të fuqishme, për të pyetur nëse kancelarja gjermane Merkel do të ndërmarrë ndonjë iniciativë për të njësuar procesin.
Nga Berlini thonë se problemet në Ballkan janë zgjidhur gjithmonë me sukses kur ka pasur koordinim në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
“Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë pasur gjithmonë sukses në Ballkan kur kanë punuar së bashku për të gjetur një zgjidhje”, ka thënë për Gazetën Express një zëdhënës i Qeverisë që drejtohet nga Angela Merkel.
Ndërkohë, ai thotë se si Gjermani do të mirëpresin një koordinim në mes të sllovakut Mirsolav Lajçak, dhe emisarit të Trumpit, Richard Grenell, sa u përket përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Derisa e vlerësojnë si një zhvillim pozitiv faktin që emisari i BE-së tashmë ka filluar vizitën e tij në rajon.
“Është mirë që Përfaqësuesi special i BE-së Lajçak tani është në rajon. Ne do ta mirëprisnim një koordinim midis tij dhe Përfaqësuesit Special Grenell”, kanë potencuar ai nga Berlini.
Derisa ka treguar që Lajçak pas Kosovës do të udhëtojë edhe në Serbi pasi të kenë përfunduar zgjedhjet atje.
Për procesin e negociatave që po udhëheq administrata e Trumpit, dje ka folur edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Ai ka thënë se për çfarëdo marrëveshje eventuale që Kosova dhe Serbia mund të pajtohen në Washington duhet të inkorporohet brenda procesit të dialogut që udhëheq Brukseli.
Shtetet anëtare të BE-së, veçanërisht Gjermania, në mënyrë të vazhdueshme ka potencuar se ka bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës derisa ka thënë se mbështet fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe Lajçaku.
Përpara se Grenell të bënte publike iniciativën e tij për takim në Washington, nga Gjermania dhe Franca kishin shprehur gatishmërinë për organizimin e një samiti në Paris si vazhdimësi e takimit të fund prillit 2019, që ishte mbajtur në Berlin.
Të hënën, emisari i Trumpit për dialogun, Richard Grenell, përmes një njoftimi në profilin e tij zyrtar në Twitter, ka njoftuar se Serbia dhe Kosova janë pajtuar për një takim në Shtëpinë e Bardhë, që do të mbahet më 27 qershor. Për ta mundësuar këtë takim, Serbia është zotuar se do ta pezullojë fushatën kundër pavarësisë së Kosovës, derisa Kosova ka bërë edhe një kompromis shtesë, duke u zotuar për pezullimin e përpjekjeve për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Lidhur me këtë kompromis ka folur sot kryeministri i Qeverisë, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se Kosova do të pauzojë deri më 27 qershor dhe nuk do të aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Kreu i ekzekutivit ka thënë se një vendim të tillë e ka marrë si shenjë e vullnetit të mirë dhe me qëllimin për të mos i lënë Serbisë arsye që ta shmangë procesin e dialogut.
Gjithashtu, Hoti ka thënë se ka marrë garanci nga ndërkombëtarët se në Washington nuk do të ofrohet ndonjë marrëveshje e gatshme dhe ka shtuar se si kryeministër do të jetë përgjegjës për procesin, pavarësisht se kush udhëton me të drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Takohet për herë të parë grupi punues për hartimin e Strateg...
Presidentja në Kanada: Kosova nga një shtet i shkrumbuar, u ...
Eman Rrahmani tregon si qëndrojnë punët e “Familjes”, ia kth...
Gresa: Moderimi më pëlqen, ama në televizion nuk ma kanë dhë...
Mbyllet pjesa e parë në Gjilan, Llapi në epërsi ndaj Dritës
Begaj mbyll takimet për datën e zgjedhjeve: Opinionet udhëhi...