Google ADS

Asnjë prurje te Kombëtarja e Kosovës – FFK heziton të jap arsyet

13:31 | 17 Qershor 2020
Arbresh Info

Federata e Futbollit të Kosovës gjatë viteve e ka pasur punën tejet të vështirë për t’i bindur lojtarët shqiptarë që luanin jashtë të vinin dhe ta përfaqësonin Kosovën në futboll.

Përveç kushteve të dobëta, Kosova ende nuk ishte e pranuar në gjirin e UEFA-së dhe FIFA-së. Por edhe pse kjo gjë u arrit para katër viteve, FFK-ja bashkë me drejtuesit e saj duket se ende po e kanë të vështirë të bindin talentët që luajnë jashtë kufijve për t’i zgjedhur ‘Dardanët’. Së paku, në vitin 2020 ende nuk kemi asnjë prurje të re pavarësisht paralajmërimeve.

Mjafton për t’i kujtuar deklaratat e të parit të FFK-së, Agim Ademi i cili për disa muaj me radhë ka ‘premtuar’ ardhje të reja – të cilat pavarësisht spekulimeve të shumta ende nuk kanë ndodhur.

”Presim dy ardhje para ndeshjeve të radhës. Jemi në kontakt të vazhdueshëm. Do të vijnë dy lojtarë, njëri nga Ferizaj dhe tjetri nga Mitrovica”, kishte thënë Ademi në emisionin Sports Show në Klan Kosova më 5 prill të këtij viti.

Por kishte edhe deklarata të hershme të tij. Më 24 nëntor të vitit 2019, po në të njëjtin emision, Ademi kishte thënë se dy ose tre futbollistë të kalibrit ”si te Bayern Munich” do të prezantohen shumë shpejt te Kosova.

“Dy ose tre futbollistë që luajnë në Zvicër ose në Gjermani. Tash mendoni ju kush do të jenë. Janë futbollistë me emra. Janë jashtëzakonisht të mirë. Lojtarë të kalibrit si te Bayern Munich”, tha Ademi.

Mirëpo, deri tani nuk ka pasur ndonjë lëvizje.

Spekulimet kanë qenë të vazhdueshme. Leon Dajaku, anësori i cili luan te skuadra e dytë e Bayernit, ishte një prej emrave më të lakuar për të cilin thuhej se veçse kishe zgjedhur të luante për Kosovën.

Andi Zeqiri, sulmuesi i Lausanne, është emri i radhës që ende vazhdon të lidhet me fanellën dardane. Zeqiri është lojtar premtues dhe shihet se e ardhmja e vijës së sulmit të Kombëtares së Kosovës.

Listës i bashkohen edhe disa emra, por vlen te veçohet ai i Meritan Shabanit, mesfushori që aktualisht luan te skuadra rezervë e Wolverhampton Wolves në Angli.

Lajmi.net ka kontaktuar menaxherin e FFK-së, Bajram Shala për ta pyetur se çfarë ka ndodhur rreth premtimeve për ardhje të reja te Kosova. Shala ka dhënë lajmin e mirë se selektori Bernard Challandes dhe ekipi i tij po i përcjellin nga afër disa nga lojtarët për të cilët ka shprehur interesim, megjithatë ka ngurruar të jap detaje më të hollësishme.

”Selektori është duke i përcjellë disa lojtarë, por ende nuk ka një hap konkret. Tash pasi kanë filluar kampionatet, të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Shala për lajmi.net.

Kosova pritet që gjatë muajit tetor ose nëntor të luajë gjysmëfinalen e play-off të Ligës së Kombeve kundër Maqedonisë së Veriut, rrugëtimi i cili mund ta na sigurojë plasmanin historik në Kampionatin Evropian për herë të parë. Deri atëherë, FFK-ja dhe ekipi i saj duhet të angazhohen për afrimin e disa prej talentëve të cilët mund të shpërthejnë në momente deçizive, që për më tepër mund të jenë jetik për të ardhmen e Kombëtares sonë të futbollit. /Lajmi.net

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme