Google ADS

Hoti fton liderët e partive për konsultim para takimit me Serbinë në Washington

10:00 | 17 Qershor 2020
Arbresh.info

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i ka ftuar liderët e partive politike në një takim për nesër.

Hoti përmes një postimi në facebook ka shkruar se takimi do të realizohet me qëllim të bashkërendimit të qëndrimeve të spektrit politik të vendit, në procesin e dialogut me Serbinë, shkruan arbresh.info.

“Me qëllim të bashkërendimit të qëndrimeve të spektrit politik të vendit, në procesin e dialogut me Serbinë, si dhe në vigjilje të vizitës në Washington, i ftova liderët partiakë për një takim të përbashkët të Forumit të liderëve, i cili do të mbahet nesër në orën 11:00 në Zyrën e Kryeministrit!”, thuhet në postimin e Hotit.

Ndryshe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun, Richard Grenell përmes Twitterit ka konfirmuar se më 27 qershor do të ketë diskutime për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka bërë të ditur gjithashtu se i është premtuar ndalja e fushatës së çnjohjes së Pavarësisë së Kosovës.

“Lajm i madh. Kam marrë zotimin nga qeveritë e Kosovës dhe Serbisë që përkohësisht ta pauzojnë fushatën e mosnjohjes dhe kërkesën për anëtarësim ndërkombëtar në mënyrë që të takohen në Washington, në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor për të biseduar rreth dialogut”, ka shkruar Grenell./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme