Google ADS

Kurimi nga Covid-19 në shtëpi, mjekët amë i vizitojnë pacientët vetëm nëse u rëndohet gjendja

16:47 | 16 Qershor 2020
Arbresh.info

Isni Telqiu nga Dibra, është njëri nga 1914 pacientët e infektuar me koronavirus të cilët kurohen në shtëpi.

Ai thotë për Alsat se që nga momenti kur ka rezultuar pozitiv në testin për COVID-19 është izoluar edhe nga vajza e bashkëshortja, të cilat nuk janë të infektuara.

Tashmë gjashtë ditë, tre anëtarët e familjes Telqiu qëndrojnë në hapësira të ndryshme të shtëpisë, sepse siç thotë kryefamiljari çdo pakujdesi mund të rrezikojë jetën e më të dashurve të tij. Për furnizimin me ushqime kujdesen familjarët që jetojnë pranë tyre.

“Ju thash se unë duhet të mbyllem në një dhomë, dhe për të ngrënë dhe për të pirë, më sjellin deri tek dera. Kontaktet janë në minimum. Enët i lë tek dera dhe i merr bashkëshortja imë. Enët që përdor unë janë të kuqe, ndërsa të tjerat i përdorin vajza me gruan. Edhe ato janë në vet izolim. Do tu jepja këshillë të gjithëve që të ruhen, nuk është diçka që mund të tallemi me këtë sëmundje – deklaroi Isni Telqiu- banor i Dibrës.

Mjekët amë vizitojnë në shtëpi të infektuarit, vetëm nëse gjendja e tyre përkeqësohet. Mjekja Sejfane Ferati, thotë se këta pacientë kurohen me terapi që përbëhet kryesisht me vitamina.

Së fundmi, diarreja dhe të vjellat shfaqen si simptoma tek pacientët e infektuar. Mjekja këshillon për mos përdorim të antibiotikëve.

“Pacienti duhet të strehohet në një dhomë të veçantë e cila duhet të ajroset dy deri 3 herë në ditë. Çarçafët duhet të ndërrohen çdo ditë dhe të hekurosen. Maskën duhet ta ndryshojë çdo tre orë. Ai anëtarë që e ushqen pacientin duhet të ketë maskë dhe doreza, të cilat ndërrohen sa herë që i shërben. Kur të ushqehet pacienti, anëtarët tjerë të familjes duhet të dalin nga dhoma, e cila më pas duhet të ajroset për një orë – deklaroi Sefjane Ferati- mjeke amë.

Nga numri i përgjithshëm i rasteve aktive, 86% e tyre kurohen në shtëpi, pasi pasqyra klinike e këtyre pacientëve është më e lehtë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme