Google ADS

Krasniqi takon ambasadorin e Italisë, diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ekonomik

13:23 | 16 Qershor 2020
Arbresh.info

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, priti sot ambasadorin e Republikës së Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, ku diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe vazhdimin e mbështetjes së Italisë për Kosovën.

Ministri Krasniqi e falënderoi ambasadorin Orlando për ndihmën e Italisë ndaj Kosovës që nga përfundimi i luftës, duke veçuar mbështetjen në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ministri Krasniqi e njoftoi ambasadorin për projektet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, dhe për Ligjin për Investime Strategjike që krijon shumë lehtësira për investitorët potencial që do të investojnë në Kosovë.

Po ashtu në takim u diskutua edhe mundësia e rritjes së shkëmbimeve tregtare Kosovë-Itali, sidomos në produktet bujqësore.

Ndërsa ambasadori Orlando tha se pret nga Qeveria të punojë shumë në rritjen e transparencës, forcimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit.

Ai po ashtu theksoi se Italia do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën, duke konfirmuar interesimin për shkëmbime tregtare dhe investime në mes të Kosovës dhe Italisë./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme