Google ADS

Lajçak së shpejti në Kosovë, nuk pritet të ketë mesazh me ndikim

15:11 | 13 Qershor 2020
Arbresh.info

Ardhja e përfaqësuesit të  Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në Kosovë duket se nuk do të mund të ketë ndonjë ndikim.

Mesazhin e tij në këtë vizitë nuk e shohin të fuqishëm ata që merren më çështjet politike në vend.

Analisti, Shkodran Ramadani në një deklaratë për arbresh.info, është shprehur skeptik se Lajçak do të mund ta dërgojë përpara dialogun Kosovë-Serbi, ndonëse thekson se vizita e tij është tentativë tjetër e BE-së që të marrë në dorë drejtimin e dialogut.

“Vizita e Lajçakut është përpjekje në vazhdën e tentativave të BE-së që ta merr përsëri në dorë dialogun Kosovë-Serbi, ta rikuperojë kohën e humbur, por do të ketë pengesa ta bëjë një gjë të tillë”, thotë ai.

Ramadani ka treguar arsyet se pse këtë herë  BE do ta ketë edhe më të vështirë faktin që të bashkëpunojë me Kosovën.

“Tani kemi një Qeveri në koordinim me Presidentin dhe më të afërt me SHBA-në. BE i ka disa vështirësi dhe i ka kredibilitetin e zbehtë dhe do ta ketë të pamundur të bëhet faktori numër një i çështjes Kosovë-Serbi. Këtu e kam fjalën se më normalizim BE nuk nënkupton njohje si pjesë të marrëveshjes  e ndërkohë Amerika e përfshin njohjen, e BE jo nuk e detyron Serbinë as me Kapitullin  25 e as në letrën që e kanë shkruar  as Merkeli në letrën që ia dërgoi Hotit nuk e përmend njohjen e Amerika po e precizon njohjen dhe e treta është se për herë të parë BE ka përzgjedhur që ta udhëheq dialogun një person nga Spanja dhe Sllovakia, të dyja vende që se njohin Kosovën. Mos të harrojmë se Lajçaku ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe ka abstenuar në Interpol. Lajçaku do të dështojë që të prodhojë rezultate konkrete dhe kjo vizitë nuk do të ketë ndonjë arritje”, u shpreh Ramadani.

Skeptik për ardhjen e tij në Kosovë dhe për mesazhin që s’do të mund ta përçojë shprehet edhe Fatmir Sheholli.

Sipas Shehollit personaliteti i tij nuk po përqafohet nga popullata shqiptare në Kosovë.

“Miroslav Lajçak është personalitet i cili vjen në emër te BE, mirëpo sipas të gjitha gjasave personaliteti i tij nuk po përqafohet nga popullata shqiptare në Kosovë. Zoti Lajçak popullatës shqiptare të Kosovës ia ka vendosur skepticizmin jo me dashjen e shqiptarëve të Kosovës, mirëpo me qasjen e tij kur ka votuar kundër hyrjes së Kosovës në mekanizma ndërkombëtar. Kjo na bënë të dyshojmë në sinqeritetin e tij. Mirëpo shteti i Kosovës duhet të tregoj mençuri dhe ta pres Lajçakun ashtu si i ka hije dhe t’ia çarmatos mendimet që eventualisht i ka ende zoti Lajçak”, deklaroi Sheholli.

Madje sipas tij dialogu me Serbinë nuk mund të rifillojë, ai ka stagnuar dhe tash duhet të vazhdojë aty ku ka mbetur me praninë e Uashingtonit.

“Dialogu me Serbinë nuk mund të rifillojë, ai ka stagnuar dhe tash duhet të vazhdojë aty ku ka mbetur dhe të përfundojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse në Uashington”, u shpreh ai.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, sipas burimeve të portalit arbresh.info të martën do të qëndrojë në Prishtinë dhe Beograd për ta përgatitur terrenin dhe për t’i diskutuar modalitetet në funksion të rinisjes së negociatave mes dy vendeve.

Sipas këtyre burimeve ai pritet të takohet me kryeministrin Avdullah Hoti, ku ky i fundit do ta informojë lidhur me platformën e dialogut.

Kurse nëse do të takohet me presidentin Hashim Thaçi ende nuk dihet./V.Selimi/Arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme