Haradinaj-Stublla: Aleanca me ShBA-të, boshti i çdo të arriture të shtetit tonë

07:55 | 13 Qershor 2020
Arbresh.info

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla, me rastin e shënimit të 21 vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, ka zhvilluar bisedë telefonike, me disa nga partnerët dhe aleatët strategjik të vendit, si dhe me akterët e asaj kohe, që jetësuan qëllimin dhe rrugëtimin e vendit, drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Ministrja Haradinaj – Stublla, fillimisht ka zhvilluar bisedë telefonike me Matthew Palmer, zëvendësndihmës sekretar i Shtetit të ShBA-së dhe përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, të cilit në emër të popullit të Kosovës, i ka shprehur falënderimin për ndihmën e pakursyer që SHBA-të kanë dhënë dhe po japin në të gjitha etapat e shtet ndërtimit të vendit dhe veçmas në rolin dominant dhe strategjik në jetësimin e të drejtës së Kosovës si shtet i pavarur dhe demokratik.

“Aleanca strategjike dhe historike e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është boshti i çdo të arriture tonë si shtet”, ka thënë ministrja Haradinaj – Stublla.

Ministrja Haradinaj – Stublla më tej ka theksuar se ndihma e SHBA-ve vazhdon të jetë e nevojshme dhe kyçe edhe në vijimësinë e konsolidimit të brendshëm dhe të jashtëm të shtetit të Kosovës, duke shprehur qëndrimin e qartë për partneritet dhe aleancë të përjetshme me ShBA-të dhe duke e falënderuar në veçanti Palmer për zhbllokimin e fondeve të Korporatës ‘Sfidat e Mijëvjeçarit’ (MCC), si dhe për vëmendjen dhe energjinë e re amerikane në përpjekjet e arritjes së marrëveshjes finale me Serbinë për njohje reciproke.

Ministrja Haradinaj Stublla ka pasur një bisedë telefonike edhe me ish sekretaren e shtetit Madeleine Albright, të cilën e ka falënderuar për insistimin dhe besimin e saj, që t’i dalë në krah Kosovës, në momentet e kthesës historike dhe jetësimin e rrugëtimit tonë, për liri dhe pavarësi.

“Sekretarja e shtetit Albright tregoi lidership dhe përkrahje të parezervë, në momentet kur Kosovës i duhej kjo më së shumti. Shteti ynë, asnjëherë nuk do t’i harroj shpëtimtarët e saj dhe sekretarja Albright ka respektin dhe vendin e pazëvendësueshëm në historinë dhe zemrat e kosovarëve”, ka thënë mes tjerash ministra Haradinaj – Stublla.

Në vazhdën e telefonatave, ministrja Haradinaj – Stublla ka zhvilluar bisedë edhe me ish gjeneralin e NATO-s, Wesley Clark, të cilit i ka shprehur falënderimin dhe mirënjohjen për vendimet e guximshme dhe humane, për të ndalur fushatën e vrasjeve dhe dëbimit nga regjimi i Millosheviqit.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nëpërmjet një komunikate, thotë se bashkëbisedimet me personalitetet Palmer, Albright dhe Clark u bënë në ditën e përvjetorit të çlirimit të Kosovës, për të shprehur respektin dhe nderimin, për rolin e jashtëzakonshëm të akterëve politik, diplomatik dhe ushtarak, që jetësuan ëndrrën shekullore të Kosovës për liri dhe pavarësi dhe për të shprehur edhe njëherë, orientimin e pakthyeshëm euro-atlantik dhe në aleancë të përhershme me SHBA-të, të shtetit të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme