Forumi i Delfit, Rama flet mbi paktin detar dhe pronat e minoritetit grek

23:02 | 12 Qershor 2020
A. B.

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë këtë të premte në forumin ekonomik të Delfit në Greqi, nga ku ka folur për një sërë çështjesh që kanë të bëjë me raportin Shqipëri- Greqi.

Media greke ka raportuar fjalën e mbajtur nga Rama, i cili është shprehur se relatat mes Shqipërisë e Greqisë janë në tërësi pozitive. Rama ka folur po ashtu për çështjen e paktit detar me shtetin helen si dhe kërkesën e kahershme të Greqisë, në lidhje me pronat e minoritetit grek në Shqipëri. Mbi këtë të fundit, Rama është shprehur se ka në të vërtetë një problem të pronave, por jo për minoritetin grek në veçanti.

“Besoj se ka çështje që duhen shqyrtuar, që janë diskutuar dhe në të kaluarën dhe vijojnë të diskutohen, është arritur dhe një progres, por natyrisht që mbetet akoma për të bërë. Marrëdhëniet mund të përmirësohen, por edhe tani janë në një nivel të mirë.

Nuk është një çështje (problemi I pronave) që duhet lidhur me faktin se kanë tjetër kombësi. Ekziston një çështje, që herë pas here evidenton pala greke për të drejtat e pronave të minoritetit grek. Është e vërtet që minoritarët kanë problem me të drejtat e pronës? Po! Por janë vetëm ata që kanë probleme me të drejtat e pronës? Jo! I gjithë vendi, çdo kilometer katror i vendit, ka një peshë të trashëgimisë të komplikuar që lidhet me titujt e pronave, arkivin, sistemet”.

Në këtë takim merrnin pjesë dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe ish-kryeministri e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme