Google ADS

Pas rasteve të reja, ndërpritet mësimi për klasat e nënta

19:48 | 12 Qershor 2020
Arbresh.info

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj ka marrë vendim për ndërprerjen e mësimit plotësues për nxënësit e klasave të 9-ta, si masë parandaluese dhe mbrojtëse për shëndetin e fëmijëve, mësimdhënësve, stafit të angazhuar dhe familjeve të tyre.

Këtë vendim, ministri Likaj e ka marrë për shkak të situatës së krijuar gjatë kësaj jave dhe duke u bazuar në informatat e pranuara nga tereni, ku është konstatuar se nuk po respektohen disa nga masat e rekomanduara nga Qeveria, Ministria e Shëndetësisë (MSH) dhe IKSHPK, e në veçanti distanca fizike, mbajtja e maskave, mbajtja e higjienës personale, matja e temperaturës.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) deri më sot ka zbatuar të gjitha rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) për parandalimin e COVID-19, me qëllim të ruajtjes së shëndetit të nxënësve të përfshirë në procesin e mësimit plotësues dy javor dhe përgatitjeve për Testin e Arritshmërisë”, thuhet në Vendim, me të cilin janë obliguar Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA-të) që ta zbatojnë deri në një vendim tjetër.

MASh është e përkushtuar me të gjitha kapacitetet dhe mundësitë për përkrahje të DKA-ve për përfundimin me sukses të vitit shkollor 2019/2020, të vetëdijshëm për sfidat me të cilat po përballemi në kohë pandemie./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme