Google ADS

Dermaku: Do të jetë shumë e vështirë të luajmë pa tifozë

23:00 | 11 Qershor 2020
Arditë Shkodra

195 cm i gjatë e me peshë 90 kilogramë, kolos i “verdhekaltërve”. Kështu e nis shkrimin mediumi italian “calciomercato” për Kastriot Dermakun, qendërmbrojtësin e skuadrës së Parmës.

Në sezonin e parë në Serie A, Dermaku luajti në 11 ndeshje deri në ndalimin e futbollit për shkak të pandemisë dhe me të në fushë, ekipi i udhëhequr nga D’Aversa ka humbur vetëm dy herë. Ai ka luajtur kundër Lukakut e Xhekos, por më të vështirin e cilëson Rodrigo Palacion. “Është i shpejtë dhe lëviz gjithmonë në momentin e duhur. Është e pamundur ta ruash, edhe pse në shtëpi u kthyem me një pikë ndaj Bolognas, ishte ndeshje e komplikuar”, thotë Dermaku.

Dermaku, 28-vjeçar, thotë se është normale që i mungon futbolli, porse është i lumtur që ka nisur stërvitjet me shokët tjerë të skuadrës.

“Futbolli luhet gjithmonë njësoj. Do të jetë keq që fushat do të jenë pa tifozë, jemi duke e pritur rikthimin e tyre në stadiume. Ky është i vetmi dallim nga përpara, por shpresojmë që të rikthehemi ngadalë në situatën normale”, shtoi ai.

Futbollisti i lindur në Scandiano të Italisë debutoi me Parmën më 20 tetor të vitit të kaluar. Ai do ta kujtojë këtë ditë gjatë.

“Debutim që do të mbetet në memorien time, gjithçka ndodhi shumë shpejt. Menjëherë si e mora vesh se do të kem mundësinë të luaj, e thirra babanë tim në Kosovë dhe ai udhëtoi në Itali me aeroplanin e parë. Ishte emocionuese sepse fituam 5:1 në një ndeshje të madhe”, thotë qendërmbrojtësi i Shqipërisë. Në fakt, Dermaku ka qenë i grumbulluar edhe me Kosovën në duelin e parë të “dardanëve” kundër Azerbajxhanit në Ligën e Kombeve, por që nuk iu dha rasti të luante. Më pas u bë pjesë e Kombëtares “kuqezi”. Ai ka debutuar më 10 tetor me Shqipërinë, nën drejtimin e teknikut italian Panucci, ndërsa ka shënuar një gol.

“Panucci më dha shansin t’i bashkohem Kombëtares, ishte ëndërr. Kur dëgjova, nuk mendova dy herë. Tani kam raporte të mira me Rejan, më ka dhënë vetëbesim. I kanë sjellë shumë eksperiencë ekipit. Shpresojmë të bëjmë më mirë se në dy vjetët e fundit dhe do të ishte mirë të kualifikoheshim në një garë të rëndësishme”, nënvizoi ai, duke thënë se ndihet shqiptar pasi është gjuha të cilën e flet në shtëpi me familje dhe se shkon shpesh edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë.

Dermaku shton tutje në intervistën dhënë për mediumin italian se e vlerëson shumë mbrojtësin tjetër Bruno Alves, për të cilin thotë se është lider në mbrojtje dhe se ka mësuar shumë nga ai, jo vetëm në futboll, por edhe në mënyrën se si ushtron dhe i përgatit ndeshjet.

Shton se deri tani sezoni për Parmën ka qenë shumë i mirë dhe se është i kënaqur me paraqitjet e tij. E pëlqen stilin e lojës së Sergio Ramosit, Van Dijkut dhe Chiellinit.

Përveç futbollit, preferon të lexojë e të shikojë seri televizive, ndërsa në të ardhmen dëshiron të mësojë ta luajë edhe sportin e golfit.

Ëndrra tjetër e tij është që të vazhdojë të luajë në elitën e futbollit italian, ndërsa me Shqipërinë dëshiron të jetë pjesë e një evropiani apo botërori.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme