Koreja e Veriut, SHBA-ve: Mbani gjuhën, mos ndërhyni në çështjet e brendshme

16:57 | 11 Qershor 2020
Arditë Shkodra

Koreja e Veriut i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të heshtin nëse nuk duan të përballen me pasoja gjatë zgjedhjeve presidenciale. Reagimi vjen pas komenteve të diplomatëve amerikanë se Pheniani po përkeqëson raportet ndërkoreane.

Koreja e Veriut ka kërcënuar Uashingtonin se do të ishte në interesin më të mirë të SHBA-së që të mos ndërhyjë në çështjet e brendshme të gadishullit korean.

Dy ditë më parë, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit komentoi raportet mes dy Koreve nisur nga ftohja diplomatike që kanë shkaktuar traktet kritike kundër Phenianit dhe ndihmat që disa ish-të përndjekur koreanoveriorë kanë shpërndarë prej ditësh nga kufiri jugor drejt Veriut.

Zyrtari amerikan theksoi marrëdhëniet e ngushta me aleatin e vet, Korenë e Jugut, ndërkohë që shprehu zhgënjim me Phenianin për ndërprerjen e komunikimeve politike dhe ushtarake me fqinjin jugor si pasojë e këtyre incidenteve.

Të enjten, Ministria e Jashtme koreanoveriore e konsideroi komentin ndërhyrje në çështjet ndërkoreane.

“SHBA-ja fut hundët në punët e të tjerëve me deklarata të pakujdesshme, në vend që të merret me punët e veta të brendshme, kur ka një situatë politike më të trazuar se asnjëherë. Mes nesh ka ende çështje të pazgjidhura dhe nuk ka nevojë që ai të luajë rolin e protektorit të Jugut. SHBA-ja bën mirë ta mbajë gjuhën, do të ishte mirë për interesat amerikanë por edhe për procesin e afërt të zgjedhjeve presidenciale.”

Pheniani nuk e ka bërë të njohur se si synon ta provokojë Uashingtonin gjatë zgjedhjeve të nëntorit, por raportet mes presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë Veriore, Kim Xhong-un, mbeten pezull pas samiteve dypalëshe të dy viteve të kaluara, që kishin për qëllim çarmatimin bërthamor të gadishullit korean dhe heqjen e sanksioneve ekonomike.

Ndërkohë për temën e shpërndarjes së fletushkave që fyejnë regjimin e Veriut, një ditë më parë zyrtarët e Koresë Jugore thanë se kanë identifikuar dhe do penalizojnë dy organizata të ish-të përndjekurve koreanoveriorë që operojnë në vend.

“Ato cenuan interesin publik duke krijuar tensione mes Jugut dhe Koresë së Veriut, duke iu kundërvënë marrëveshjeve të arritura mes liderëve të dy Koreve, dhe duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e banorëve në zonat kufitare.”

Pheniani ka deklaruar se nëse nuk ndalet dërgimi i trakteve nga aktivistët, vendi do zhbëjë edhe marrëveshjet ushtarake për paqe të nënshkruar mes palëve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme