Eurobondi i Shqipërisë prej 650 milionë eurosh, me interes më të lartë se Serbia

17:24 | 10 Qershor 2020
A. B.

Shqipëria ka dalë në tregjet ndërkombëtare me një eurobond të ri prej 650 milionë eurosh, i cili do të shkojë për të mbuluar borxhin e vjetër pjesërisht, por edhe për të mbuluar nevojat e reja për financim, sidomos në një kohë që ekonomia dhe financat e vendit kanë kaluar krizën e tërmetit të fundvitit të kaluar dhe atë aktuale me Covid-19.

Paraprakisht mësohet se, 250 milionë euro do të shkojnë për të shlyer borxhin e vjetër dhe rreth 400 milionë euro për nevojat e reja për financim, sipas asaj që ka deklaruar vetë kryetarja e komisionit të ekonomisë gjatë një lidhje direkte në emisionin “Argument”.

Sipas Kryeministrit Rama, borxhi 7-vjeçar i emetuar është një histori suksesi, pasi u ofrua një normë interesi prej 3.62%. Kjo normë është lehtë më e lartë se eurobondi i kaluar prej 450 milionë eurosh, por vjen në një kohë pasigurish mjaft të mëdha për globin dhe një normë e tillë padiskutim që reflekton besimin e tregjeve dhe investitorëve në ekonominë shqiptare. Kryeministri ndër të tjera la të kuptohej se, në një krahasim me fqinjët, Shqipëria fiton garën. Por çfarë thonë shifrat? Gjatë kësaj periudhe kohore, pra në kulmin e krizës së shkaktuar nga Covid-19, janë vetëm dy shtete fqinje të cilat kanë emetuar një Eurobond.

Maqedonia e Veriut e ka bërë diçka të tillë vetëm pak ditë më parë, ku borxhi me maturim 6-vjeçar prej 700 milionë eurosh u morr me një interes 3.95% nga tregjet, pra mbi normën e interesit ofruar Shqipërisë. Kjo diferencë mund të jetë reflektim i besimit të ndryshëm të tregjeve për të dy ekonomitë, por mund të jetë edhe produkt i konsulencave. Qeveritë dalin në tregjet ndërkombëtare pas konsultave me bankat ndërkombëtare. Serbia është shteti tjetër rajonal që ka emetuar një Eurobond gjatë periudhës së pandemisë, me vlerë 2 miliardë euro dhe me një periudhë maturimi 7-vjeçare.

Por, në rastin e Serbisë, interesi rezulton ndjeshëm më i ulët se Shqipëria, në vetëm 3.37%. Qeveria serbe ka dalë në tregje për borxhin e ri në muajin maj, pra në kulm të krizës, atëherë kur tregjet ishin edhe më të pastabilizuara. Mali i Zi ndërkohë nuk kanë dalë në tregjet ndërkombëtare për borxh të ri gjatë kësaj periudhe. Mali i Zi për herë të fundit ka emetuar një Eurobond në Tetor të 2019-ës, për një vlerë prej 500 milionë eurosh dhe me një normë interesi mjaft të ulët, në 2.8%./scan

Të ngjashme