Ministria e Mbrojtjes shkel ligjin, zyrtarja me kontratë mbi vepër ishte pjesë e ekipit auditues

08:00 | 10 Qershor 2020
V. S.

Angazhimi i auditorët të brendshëm është i rregulluar me Ligjin për Auditim të Brendshëm i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Neni 10, pika 5 e këtij ligji thotë se të gjithë Auditorët e Brendshëm, brenda Njësisë së Auditimit të Brendshëm, duhet të kenë statusin e shërbyesit civil, raporton arbresh.info.

Por, kjo nuk është respektuar nga Ministria e Mbrojtjes.

Në raportin e vitit 2019 të publikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit thuhet se kjo ministri ka angazhuar në departamentin e auditimit një zyrtare me kontratë për shërbime të veçanta.

Ajo është emëruar në pozitën e asistentes në tetor të vitit 2017.

“Gjetja Sipas Ligjit për Auditim të Brendshëm, neni 10, pika 5 të gjithë Auditorët e Brendshëm, brenda Njësisë së Auditimit të Brendshëm, duhet të kenë statusin e shërbyesit civil. Në departamentin e auditimit zyrtarja me kontratë për shërbime të veçanta në pozitën e asistentes që nga data 13.10.2017 është pjesë e ekipit auditues, si auditore, duke kryer auditimet e rregullta si anëtare e ekipit të auditimit”, thuhet në të gjeturat e ZKA-së.

Gjithashtu në këto të gjeturat thuhet kjo ka ndodhur pas mos aprovimit të pozitës nga Ministria e Administratës Publike

“Kjo ka ndodhë për shkak të mos aprovimit të pozitës nga Ministria e Administratës Publike. Gjatë periudhës sa është e angazhuar ka përfunduar programin certifikues për auditim të brendshëm”, thuhet më tej në të gjeturat e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Një emërim i tillë mund ndikon që cilësia e shërbimeve të ofruara të mos jetë e nivelit të duhur.

“Ndikimi Kryerja e auditimeve nga persona të cilën nuk kanë statusin e rregullt si auditor, ndikon në performancë jo të kënaqshme dhe që cilësia e shërbimeve të ofruara të mos jetë e nivelit të duhur, marr parasysh këtu edhe rëndësinë e aktiviteteve që ka institucioni”, thuhet më tej.

ZKA ka sjellë edhe një rekomandim për këtë çështje.

“Ministri duhet të siguroj që pozitat e përhershme të plotësohen me vendet e liratë punës të aprovuara në ligjin e buxhetit dhe procesi i auditimit të kryhet nga stafi kompetent dhe me status të rregullt sipas kërkesave ligjore për Auditim të Brendshëm”, përfundon rekomandimi i ZKA-së.

arbresh.info ditë më parë ka raportuar edhe për një të gjetur tjetër në këtë ministri. Zyrës Kombëtare të Auditimit ka gjetur së në MM nuk është respektuar orari i punës për nëpunësit civil, i cili është i rregulluar sipas ligjit për shërbyesit civil në Republikën e Kosovës.

Në vitin 2019 kur kjo ministri udhëhiqej nga Rrustem Berisha janë identifikuar disa raste kur punëtorët kanë marrë paga, edhe pse nuk kanë shkuar në punë mbi 2 muaj.

Mos vijueshmëria në punë ka arritur deri në rreth 50 ditë.

Në raportin e Auditorit të Përgjithshëm, për këtë ministri thuhet se tre punëtorë nuk kanë shkruar në punë deri në 30 ditë, ndërsa një deri në 46 ditë. Sipas të njëjtit raport nuk ka pasur kontrolle dhe mbikëqyrje nga drejtorët e departamenteve për ardhje/vajtje të punonjësve në punë.

“Sipas ligjit 03/L-149 Për Shërbyesit Civil, neni 36 dhe rregullorja së Qeverisë 05/2010 për orarin e punës, neni 4, punëtorët janë të obliguar të punojnë 40 orë në javë. Ne kemi identifikuar tre raste, të cilët gjatë vitit 2019 kanë pasur mos vijueshmëri në punë deri në 30 ditë, derisa në një rast deri në 46 ditë, duke përjashtuar pushimet vjetore, mjekësore dhe festat zyrtare. Në këtë gjendje është reflektuar mungesa e kontrolleve dhe mbikëqyrjes nga drejtorët e departamenteve përkatëse të punonjësve dhe neglizhimit të ardhje/vajtjes së punonjësve në punë”, thuhet në raport.

Të njëjtit nuk kanë çuar dëshmi për arsyetimin të mungesave. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme