Google ADS

Thaçi tha se familjarë e saj i kanë shërbyer Serbisë, reagon Vjosa Osmani: Sonte, gjarpri paska provuar të kafshojë nderin e familjes sime

22:53 | 9 Qershor 2020
L G

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar ashpër pas akuzave të rënda që presidenti i vendit, Hashim Thaçi i bëri sonte, duke thënë se dikush nga familja e Osmanit i ka shërbyer Serbisë.

Osmani ka thënë se “ky njeri mbetet faqja e zezë e vendit tonë”, dhe kjo sipas saj do të vazhdojë të mbetet kështu, derisa populli i Kosovës t’ia tregojë secilit vendin përmes votës.

Kryetarja e Kuvendit ka shkruar në Facebook, se babai i saj e ka njohur për komandant suprem ish-presidentin, Ibrahim Rugova, kurse Thaçi po e shpallë tradhtare familjen e saj, ashtu siç e shpallte dikur Rugovën me komunikatat e tij gjatë viteve të ’90-ta.

“Sonte, gjarpri paska provuar të kafshojë nderin e familjes sime. Babai im e ka njohur për Komandant suprem Dr.Ibrahim Rugovën. Me gjasë, prandaj, Thaçi po e shpallë familjen time tradhtare, njëjtë siç e shpallte Rugovën me komunikatat e tij të 90-tës e tutje. T’i shërbesh vendit tënd duke e njohur Rugovën si prijës, sipas Thaçit qenka sikur t’i shërbesh Serbisë. Shpallja e kundërshtarëve politik si bashkëpunëtorë të Serbisë i ka paraprirë gjithnjë sulmeve fizike e eliminimeve. E njëjta logjikë, si duket, po synohet të instalohet tash për të arsyetuar sulme të paramenduara e parapërgatitura”, shkruan Osmani.

Ajo thotë tutje se në historinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk do të ketë njollë më të zezë se sa zgjedhja e Thaçit për President të vendit.

“Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë sërish lidhje me popullin vetëm në ditën kur kërkon falje të sinqertë e përkulet para qytetarëve për këtë gabim i cili po e qon vendin tonë drejt humnerës. Por ky vend nuk i është nënshtruar as regjimeve gjenocidale. Nuk do të dorëzohet as para shpifësve në rolin e Presidentit. E deri atëherë, kur ky popull do ja tregojë vendin secilit, me votë, ky njeri mbetet faqja më e zezë e vendit tonë”, shkruan Osmani.

Ky reagim vjen pasi presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka hedhur akuza të rënda ndaj Osmanit, duke thënë që dikush nga familja e saj i ka shërbyer Serbisë.

“Projektet e mia kanë qenë gjithmonë për t’u përballur me Serbinë dhe kështu kemi fituar lirinë dhe pavarësinë. Nëse dikush nga Osmani i ka shërbyer Serbisë në atë kohë, unë i kam luftuar ata”.
“Po të isha në vend të Osmanit do të isha djersitur. Do të flas shumëçka nëse ajo vazhdon të shpifë”, tha Thaçi në Rubikon./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme