Telekomi i Kosovës, dikur kompania më profitabile në vend, viteve të fundit po vazhdon të përballet me probleme të mëdha financiare dhe operative.
Ndër vite, rruga e vetme për shpëtimin e Telekomit nga kriza financiare në të cilën është futur, u pa të jetë privatizimi i saj.
Me ardhjen në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje, njëra ndër kritikueset e vetme të këtij procesi, gjërat filluan të ndryshojnë, pasi në programin qeverisës të partnerëve të koalicionit (VV-LDK) nuk ishte i përfshirë fare procesi i privatizimit të ndërmarrjeve publike.
Por, fati i ndërmarrjes më të përfolur viteve të fundit mund të ndryshojë sërish. Kjo pasi, me ardhjen e Qeverisë Hoti, ajo mund të përfundojë në privatizim të pjesshëm, pasi në pikën 5.7 të programit qeverisës të qeverisë së re, është theksuar shitja e aksioneve të ndërmarrjeve publike.
“Në Telekomin e Kosovës duhet të konsiderohet privatizimi i pjesshëm me një strategji të qartë pas sanimit të gjendjes aktuale, por, para privatizimit duhet të sanohen gjendja e rendë dhe përmirësohet performanca në mënyrë që të rritet atraktiviteti për investitorë strategjik dhe me renome në fushën e telekomunikacionit”, thuhet në pikën për Telekomin në programin e Qeverisë Hoti e cila u miratua në mbledhjen e qeverisë.
Për dallim nga Qeveria Kurti, ku Hoti fillimisht ishte zëvendëskryeminsitër në planin e përbashkët të partnerëve të koalcionit, nuk parashihej privatizimi i ndërmarrjeve publike
Programi I Qeverisë Kurti
Lidhur me përfshirjen e privatizimit të ndërmarrjeve publike në programin e qeverisë së re, për Syri.net Kosova, ka folur ish-zëvendësministri I Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, nga radhët e Vetëvendosjes, Edison Jakurti.
Jakurti tha se VV e ka kritikuar në vazhdimësi procesin e privatizimit, korrupsionit në proces i cili ka shërbyer më shumë si dogmë politike për përfitime private, se sa si mekanizëm ekonomik për përfitime shoqërore.
Ai shton se gjatë punës së bërë në ministrinë e udhëhequr nga Rozeta Hajdari, kanë arritur ta bëjnë ndarjen mes pronësisë dhe menaxhmentit.
“Ne e kemi bërë ndarjen mes pronësisë dhe menaxhimit. Në Telekom, si edhe në ndërmarrjet tjera publike, nuk është problem pronësia si e tillë. Problem ka qenë mënyra se si është menaxhuar. Sepse kjo ndërmarrje ishte në pronësi publike edhe kur ndante 80 milionë euro dividendë para gati një dekade. Pra, ndër të tjera, privatizimi shpërfaq edhe mungesën e njohurive mbi nevojat e ndërmarrësisë, me ç’rast shitja bëhet zgjidhja e vetme e njohur nga pronari”
Jakurti, shprehet skeptik për përfshirjen e privatizimit të Telekomit në programin qeverisës të qeverisë së re, pasi një rezolutë e miratuar në Kuvendin e Kosovës me 18 korrit 2018, ku parashihej korniza e daljes nga kriza për Postën dhe Telekomin, u përkrah në atë kohë edhe nga grupi parlamentar i LDK-së.
“Tani, subjekti i njëjtë e parasheh të kundërtën. Dhe, duke e ditur mënyrën se si e formoi Qeverinë, mund të ngjallë edhe dyshime të ndonjë premtimi që mund t’i ketë bërë ndokujt për asetet e Telekomit: Ndonëse rezoluta ishte miratuar nga Kuvendi, e njëjta ishte neglizhuar nga Qeveria e atëhershme. Por, me ardhjen e Qeverisë Kurti, filluan reformat e para aty, duke filluar nga shkarkimi i bordit të kaluar dhe emërimi i një bordi të përkohshëm. Ky ishte një hap fillestar, sepse edhe me rezolutën e 2018-ës njihej nevoja e ristrukturimit të brendshëm, gjë që do t’ishte përgjegjësi e menaxhmentit të ri. Pra, edhepse Qeveria Hoti mund ta ketë paraparë privatizimin e pjesshëm të Telekomit, në atë që e quan program qeverisës, nuk e ka as legalitetin e as legjitimitetin për ta bërë një gjë të tillë. Dhe, duke e parë se si ka ndërruar qëndrim që nga rezoluta e 2018-ës, nuk duket se do ta ketë vështirë të ndërroj qëndrim sërish”.
Por, Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Valdrin Lluka, e ka përshëndetur propozimin e Qeverisë Hoti për privatizimin e pjesshëm të Telekomit.
Sipas Llukës, privatizimi i pjesshëm i Telekomit siguron stabilitetin e ndërmarrjes, punëtorët dhe avancimin e sektorëve të telekomunikacionit në Kosovë.
Ndërsa, Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi, për Syri.net Kosova, tha se vendimi i Qeverisë është jashtëzakonisht i domosdoshëm dhe në kohën më të mirë të mundshme që të punohet sa më shpejt e sa më mirë që të fillohet procesi i privatizimit.
Istrefi shtoi se privatizimi do të duhet të ndodh sa ma shpejt, mirëpo, deri tek arritja e stabilitetit teknik dhe financiar të mos mendohet për një gjë të tillë.
“Unë edhe më herët jam deklaru rreth procesit të privatizimit dhe mendoj që është jashtëzkonisht një momentum i mirë që duhet të shfrytezohet. Por në këtë rast qeveria si aksionare që është, duhet së pari të fokusohet të krijohet stabiliteti ekonomik dhe financiar në mënyrë që të rritet shitja e aseteve, në të kundërtën, vlera e aseteve aktuale është jashtëzakonisht e ulët dhe mendoj që këtu qeveria duhet me një grup të ekspertëve nga brenda dhe nga jashtë që të identifikohen pikat strategjike, duhet të bëhet një investim i domosdoshëm , me të cilin arrihet vlera dhe të krijohet një stabilitet teknik dhe financiar në mënyrë që shteti të arrijë përmes privatizimit të pjesshëm, që të arkëtoj të hyra më të favorshme” shton kryeshefi i Telekomit.
Istrefi për Syri.net Kosova, gjithashtu theksoi se faktorët që kanë ndikuar në degradimin e shërbimit dhe kualitetit të kësaj ndërmarrje, janë vendimet e qeverive të ndryshme kohë pas kohe, kur ka filluar procesi i privatizimit dhe të njëjtat e kanë sjellë Telekomin në këtë gjendje.
Lidhur se cilët sektorë duhet të privatizohen, Istrefi thekson se pasi të krijohet stabiliteti teknik dhe financiar duhet të mendohet për privatizim të telefonisë mobile e jo menaxhmentit, ndërsa, ajo fikse të mbetet në menaxhimin e shtetit.
“Problemi është që në situatën në çfare është Telekomi nuk ka nevojë për analista politik por për analista profesional dhe une mendoj që privatizimi i pjesshëm i Telekomit, duhet të bëhet pjesa e telefonisë mobile, urgjent të krijohet stabiliteti teknik dhe financiar, dhe të procesohet për shitje të aseteve. Telefonia fikse është në rregull, aty duhet që shteti ta menaxhoj 100%, për shkak të infrastukturës të cilën e ka, në të njejtën kohë, ka mundësi që më mirë është që shteti të krijojë shoqëri aksionare dhe t’i fut njerëzit që kanë para dhe dëshirojnë me u zhvillu si korporatë edhe publiku edhe privati, bëhen bashkë 2-3 biznese, të investojne dhe e menaxhojnë ndërmarrjen, për shkak se është në interes të atyre që invesojne dhe nuk lejojnë politikën, parapolitikën apo grupet e interesit të ndërhyjnë në çështje të caktuara që sjellin deri tek degradimi i institucionit.
Për njohësit e fushës së ekonomisë, modeli i privatizimit, i cili u ndoq në Kosovë, nuk është përdorur si metodë e vetme e privatizimit në asnjë vend tjetër të transicionit, kurse, në situatën që gjendet tashmë Telekomi, asnjë kompani nuk do ishte e interesuar ta blinte atë, dhe si e tillë fillimisht do të duhej të fuqizohej kapacitete gjeneruese, para se të shkohet në privatizim.
Eksperti financiar, Florin Aliu, për Syri.net Kosova, tha se modeli i ndjekur në Kosovë i privatizimit është totalisht i ndryshëm nga vendet tjera të ish-bllokut sovjetik, prandaj shitja e një pjese të aksioneve të Telekomit është totalisht joekonomike.
Sipas Aliut, në këtë situatë, asnjë kompani ose asnjë investitorë nuk do të blente aksione të një kompanie që është drejt falimentimit.
“Për të vërtetuar që kjo kompani është në atë drejtim ‘cash-i’ nga operacionet e kompanisë është negativ në shumë vite” theksoi ai.
Aliu shtoi se për vlerësimin e vlerës dhe emetimit të aksioneve të kompanive në Kosovë, fillimisht duhet të krijohet bursa e Prishtinës, pastaj të flitet për të.
“Prandaj kjo ide është më tepër diskutim kafenesh pa asnjë arsye dhe logjikë ekonomike. Një ide për privatizim mund të ishte vetëm privatizimi i menaxhmentit të kompanisë. Për më tepër, menaxhmenti i privatizuar mund të punonte me objektiva të përcaktuara nga Qeveria e Kosovës, në raportet me performancën dhe menaxhimin e Telekomit”
Tutje, eksperti Aliu, ka prezantuar për Syri.net Kosova edhe një raport të një artikulli shkencor të realizuar nga ai dhe disa bashkëautorë të tjerë.
“Vlera e tregut të Telekomit të Kosovës ka rënë nga 146 milion euro në vitin 2012 në 41 milion euro në vitin 2017. Grafiku i dytë tregon se asetet e kompanisë në vitin 2012 janë financuar më shumë se 80% me kapital dhe më pak se 20% nga borxhi. Ndërsa në vitin 2017 kapitali i kompanisë zvogëlohet në 40% dhe borxhi i kompanisë rritet në 60%. Në thelb, kapitali i kompanisë dhe rënia më e madhe e vlerës së tregut të kompanisë ka ndodhur gjatë qeverisë së LDK-së, kur ministri i financave ishte Hoti” shton tutje Aliu”
Kurse, njohësi i ekonomisë, Jakup Bellaqa, për Syri.net Kosova, tha se arsyeja bazë se prapë është rikthyer procesi i privatizimit e pikërisht Telekomit, është se, procesi i privatizimit është pothuajse i përfunduar, me më pak se 10%, të ndërmarrjeve kanë mbetur për t’u privatizuar, e në mesin e këtyre ndërmarrjeve është edhe Telekomi.
Duhet theksuar se metoda e vetme qe është perdorur deri me tani ka qenë “ shitja ofertuesit me çmim më të lartë” e cila nuk është perdorë si metodë e vetme e privatizimit në asnjë vend tjetër të transicionit e as në shtetë paduese të ish- Jugosllavisë, rrjedhimishtë nga rrethë 600 ndërmarrje shoqërore sa ishin n? Kosovë u krijuan 769 ndërmarrje të reja.
Bellaqa theksoi se Telekomi duhet të privatizohet patjetër, sepse, si shoqëri si shtet jemi përcaktuar për ekonomi të lirë të tregut, ku duhet që akterët e tregut të veprojnë sipas lirisë ekonomike të dominojë iniciativa private për investime.
Por, sipas tij, kjo ndërmarrje momentalisht do të duhej të fuqizohej kapacitete gjeneruese dhe të zgjerohej kapacitetet e kësaj ndërmarrje të ngritej cilësia e shërbimeve të rritej produktiviteti dhe efikasiteti dhe efektiviteti.
“Telekomi momentalisht është në telashe të medha, mendoj se shtrohet pyetja se a është koha e duhur te privatizohet Telekomi, momentalisht do të duhej të fuqizohej kapacitetet gjeneruese dhe të zgjerohej kapacitetet e kësaj ndërmarrje të ngritej cilësia e shërbimeve të rritej produktiviteti dhe efikasiteti dhe efektiviteti, e gjithë kjo do të bëhej me një plan detajues dhe të qartëqe do të përgaditur nga menaxhmenti i kësaj kompanie dhe me ndihmën dhe investimet nga qeveria e Kosovës, sepse është edhe aksionare e kësaj kompanie pasi të stabilizohej kjo kompani dhe të ngritej do ti shtohej edhe vlera në menyre që të tërheq investitor serioz, sepse momentalisht nuk ka ndonjë vlerë aq serioze që i tërheqë investitorët e jashtëm, kjo kompani ka nevojë për kapital të rëndësishëm teknologjik e njerëzor me përgaditje shumë cilësore sepse ky aset i çmueshëm i Kosovës i siguron të hyra buxhetore në shuma milionshe që i paguan shtetit obligime tatimore, andaj edhe shteti ynë duhet ta ketë në fokus, për momentin nuk doë shitej me shifra dy shifrore dhe jo sa ishte para disa viteve ku po të privatizohej do të sigurohej shitje me shifra tre shifrore, vlen të ceket se në total të ardhurat nga privatizimi janë mbi 643 milionë euro, ato përfaqësojnë mbi 12%, të PBB, së Kosovës” tha Bellaqa
Kujtojmë se Telekomi i Kosovës i ishte nënshkruar në të kaluarën dy herë procesit të privatizimit, mirëpo asnjëri proces nuk është finalizuar me sukses.
Në rastin e privatizimit të 75 përqind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, në vitin 2013 kompania “Axos- Capital” ishte shpallur fituese, me një vlerë prej 277 milionë eurosh. Por, i gjithë procesi ishte anuluar më pastaj.
Arrestohet shqiptarja në Londër, mori pjesë në protestat pro...
Supergol nga Granit Xhaka, vulos fitoren e Leverkusen
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të “BBVA”
Dhjetra të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë dhe Liban
Asociacioni “do të jetë” kusht edhe për BE, thotë Guerot
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...