Rikthehet normaliteti me Serbinë, hynë të gjithë kamionët me mallra serbe

07:47 | 9 Qershor 2020
V. S.

Ish-Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, pas largimit së taksës doganore 100% ndaj mallrave serbe kishte plotësuar vendimin për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë.

Përmes ndryshimeve ndalohej importi me dokumente që përdorin emra të vendeve që përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, shkruan arbresh.info..

E, kjo kishte bërë që disa kamionë me mallra serbe të mos u lejohej hyrja në Kosovë.

Por, Qeveria e re e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, hoqi të gjitha masat e reciprocitetit me Serbinë.

Kështu është kthyer normaliteti në pikat doganore me shtetin fqinj.

Vetëm mëngjesin e së hënës në Kosova kanë hyrë 10 kamionë. Këtë për arbresh.info e ka konfirmuar zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.

“Për momentin në procedurë doganore janë 10 maune me mallra të Serbisë”, ka thënë Stavileci.

Gjendje tjetër ishte paraqitur gjatë ditëve kur reciprociteti me Serbinë ishte në fuqi.

Kamionët serbë ishin kthyer mbrapa në rast se nuk respektonin dokumentet e nxjerra nga Qeveria e Kosovës ndër të tjera nëse u mungonte mbishkrimi ‘Republika e Kosovës.

Pas largimit të reciprocitetit, kryeministri i ri i Kosovës Avdullah Hoti ka thënë se me këtë janë hequr pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

“Presim që të njëjtën gjë ta shohim nga pala serbe, që të heqin të gjitha pengesat dhe t’i japin frymë procesit të dialogut. Por, ne ruajmë të gjitha të drejtat tona, si shtet sovran, që të vendosim të gjitha masat e nevojshme, për të ruajtur sovranitetin tonë, në koordinim me partnerët tanë. Shfuqizimi i masave të reciprocitetit është bërë për një kohë të arsyeshme, që t’i jepet shans dialogut”, kishte thënë Hoti.

Ndërsa i menjëhershëm ka qenë reagimi i ish-kryeministrit, Albin Kurti.

Ai e ka quajtur këtë vendim në shërbim të Serbisë.

“Edhe e paligjshme në Kosovë, edhe në shërbim të Serbisë. Edhe të shtunën punojnë e mbajnë mbledhje vetëm dhe vetëm që ta heqin reciprocitetin ndaj Serbisë. Kosova ka panumër probleme sociale dhe ekonomike, por ato nuk mund të kenë prioritet krahasuar me kërkesat e Serbisë. Kjo pra është qeveria e paligjshme e Kosovës”, thuhej në reagimin e Kurtit.

Më 30 maj, ish- Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj ka miratuar ndryshim dhe plotësimin e vendimit për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë.

Përmes këtij vendimi ishin ndaluar dokumentet për produktet bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve që përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, emrat e vendeve në Republikën e Kosovës por pa emërtimin e shtetit, që nuk i referohen me Republika e Kosovës dhe përmbajnë çfarëdo elementi që mohon pavarësinë dhe sovranitetin  e Republikës së Kosovës.

Gjithashtu ishte obliguar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të përdorë stemën dhe emrin Republika e Kosovës në certifikatat fitosanitare dhe veterinare, ndërsa operatorët ekonomik nga Serbia duhet të pajisen me leje hyrëse për secilin automjet të transportit të mallrave që hyn në Republikën e Kosovës nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi.

Ndryshe në të dhënat e Doganës së Kosovës thuhet se nga shteti serb kanë hyrë mallra në vlerë rreth 36 milionë euro.

Saktësisht gjatë periudhës janar-maj 2020 në vend nga Serbia kanë hyrë mallra në vlerë saktësisht 35 mijë e 874 mijë euro. Ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë importuar pas largimit ta tarifës 100#% ndaj mallrave serbe.

Në muajt prill dhe maj të këtij viti, nga shteti fqinj janë importuar mallra në vlerë 33 milionë e 263 mijë euro.

Mallrat e importuara janë të ndryshme duke filluar nga ato ushqimore e deri te mjete pune dhe shtëpiake./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme