Google ADS

Stoltenberg bën thirrje për unitet të NATO-s

19:22 | 8 Qershor 2020
Arbresh.info

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se aleanca 30-anëtarëshe duhet të “qëndrojë ushtarakisht e fortë, të jetë më e bashkuar politikisht dhe të ketë qasje më të gjerë në nivel global”, në mënyrë që të vazhdojë të “mbrojë demokracitë tona”, në një “botë me më shumë gara”.

Në një fjalim, duke prezantuar vizionin e NATO-s deri më 2030, Stoltenberg u ka bërë thirrje aleatëve që të vazhdojnë të investojnë në forcat e tyre të armatosura; të përdorin aleancën si forum për diskutim dhe ku është e nevojshme të intervenohet në çështjet që prekin sigurinë e përbashkët; si dhe të punojnë më afër me partnerë si Australia, Japonia, Zelanda e Re, Koreja Jugore, në mënyrë që të mbrohen “rregullat globale dhe institucionet që na kanë mbajtur të sigurt për dekada”.

“Qëndroni për një botë të ndërtuar në liri dhe demokraci. Jo në ngacmim dhe shtrëngim”, ka thënë ai gjatë një ngjarjeje të mbajtur online me Këshillin Atlantik dhe Fondin Marshall të Shteteve të Bashkuara.

Stoltenberg ka thënë se Rusia “vazhdon të mos zvogëlojë aktivitetet ushtarake”, grupi militant, Shteti Islamik dhe grupet tjera janë duke u motivuar, derisa aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë promovojnë “dezinformata dhe propagandë”.

Ai ka thënë se rritja e Kinës “përbën zhvendosje të ekuilibrit global të pushtetit, duke ngritur garën për mbizotërim ekonomik e teknologjik”.

Fjalimi i Stoltenbergut ka ardhur teksa aleatët e Shteteve të Bashkuara në Evropë, kanë shprehur zhgënjim pas raportimeve se ekziston plan për tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania.

I pyetur rreth këtyre planeve, ai ka refuzuar të komentojë drejtpërdrejt “për spekulimet e mediave”, mirëpo ka mbrojtur përkushtimin e Shteteve të Bashkuara në Evropë, duke thënë:

“Në vitet e fundit ne kemi parë sërish një rritje të prezencës amerikane në Evropë”.

“Dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me Gjermaninë. Ne kemi parë, shembull, një brigadë të re amerikane të angazhuar në Evropë, ne kemi parë prezencë rotative, ne kemi parë SHBA-në, në role udhëheqëse në grupin e betejës së NATO-s në Poloni”, ka thënë mes tjerash Stoltenberg.

Largimi potencial i trupave amerikane nga Gjermania është raportuar fillimisht nga The Wall Street Journal dhe Der Spiegel një javë më parë.

Qeveria gjermane ka thënë se ende nuk ka pranuar ndonjë konfirmim nga Uashingtoni lidhur me këto pretendime.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme