Jerusalem, i riu palestinez qëllohet për vdekje nga policia e izraelite

20:07 | 6 Qershor 2020
Arbresh.info

Një palestinez i paarmatosur është vrarë sot nga policia izraelite në hyrje të Qytetit të Vjetër të Jerusalem.

Oficerët thanë se besonin se i riu kishte armë dhe do të hapte zjarr, kur refuzoi të ndalonte pas kërkesës së tyre.

Të afërmit e 32-vjeçarit Eyad Rawhi Al-Halaq thanë për CNN se ai ishte me autizëm dhe kishte inteligjencën e një gjashtë-vjecari. Ai po shkonte në shkollën e njerëzve me nevoja të veçanta kur ndodhi incidenti fatal.

Në një deklaratë policia izraelite tha: “Në qytetin e Vjetër të Jerusalem njësitë e policisë pikasën një të dyshuar me një objekt të dyshimtë në dorë që dukej si pistoletë. Ata e thirrën atë dhe nisën ta ndiqnin kur refuzoi të ndalonte . Gjatë ndjekjes oficerët hapën zjarr ndaj të dyshuarit, i cili u neutralizua”.

Policia tha më vonë se pas kontrollit, në trupin e të vrarit nuk u gjet asnjë armë.

Një i afërm i të vrarit tha: “Dukej se policia i kërkoi të ndalonte por ai kishte frikë nga oficerët e armatosur dhe u largua me vrap.” Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thonin se e kishin parë të vrarin që rrinte fshehur prapa një kazani mbeturinash, ku u qëllua disa herë nga policët.

Ayman Odeh, kreu i Listës së Përbashkët Arabe, e cila ka 15 deputetë në parlamentin izraelit, tha se hetimet e policisë me shumë gjasa do të rezultonin në një mbulim të ngjarjes.

“Ne duhet të sigurohemi që policët të burgosen, dhe të kujtojmë se kur ata shkrepën armët, ato ishin mbushur nga pushtuesi,” tha Odeh.

Vrasja vjen mes tensioneve të rritje në rajon, para aneksimit të mundshëm nga Izraeli të disa pjesëve të pushtuara të Bregut Perëndimor.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kërkon të vijojë me planet për shpalljen e sovranitetit të Izraelit në zonat me koloni të reja izraelite, sipas planit të Donald Trump për paqen në Lindjen e Mesme ku përfshihet gjithashtu aneksimi i luginës së lumit Jordan.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme