Irani ka shumë më tepër uranium sesa lejon marrëveshja

13:09 | 6 Qershor 2020
Arditë Shkodra

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Republika Islamike e Iranit ka pothuajse tetë herë më shumë uranium të pasuruar sesa lejohet me marrëveshjen bërthamore të 2015-ës.

Në vend të sasisë së lejueshme prej 202,8 kilogramësh, Irani ka që nga 20 maji 1.571,6 kilogramë uranium të pasuruar. Kjo u konstatua nga inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) thuhet në raportin e fundit mbi aktivitetet bërthamore të Republikës Islamike të Iranit.

Përveç kësaj udhëheqja e Teheranit vazhdon t’u refuzojë inspektorëve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Energjinë Bërthamorë që të inspektojnë dy impiante që janë pjesë e misionit të tyre të inspektimit, thuhet në raport. Kjo përbën shkak për “një shqetësim serioz”. Inspektorët kanë kërkuar katër muaj me radhë leje për inspektimin e impianteve në fjalë, por pa sukses, raporton DW.

Marrëveshja bërthamore në rrezik

Pesë fuqitë me të drejtë vetoje të OKB dhe Gjermania nënshkruan në qershor 2015 pas bisedimesh të gjata me Iranin marrëveshjen ndërkombëtare bërthamore. Ajo synon që të sigurojë që Republika Islamike e Iranit të mos jetë e aftë për të ndërtuar një bombë atomike. Presidenti amerikan Donald Trump e ndërpreu në mënyrë të njëanshme marrëveshjen në maj 2018 dhe vendosi sanksione të reja ndaj qeverisë në Teheran.

Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe ende po përpiqen ta shpëtojnë marrëveshjen. Sidoqoftë Irani tani po tërhiqet gradualisht nga marrëveshja – gjithashtu edhe sepse Bashkimi Evropian nuk ka arritur të përmbushë premtimin e tij për të zbutur pasojat ekonomike të masave ndëshkuese të SHBA-së.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme