Pamjet e një oficeri të bardhë të policisë që i vë gjurin në qafë afro-amerikanit George Floyd, i cili më pas vdiq, kanë ngjallur protesta nga Amsterdami deri në Nairobi, por ato gjithashtu ekspozojnë shqetësime më të thella mes demonstruesve për marrëdhëniet e tensionuara racore në vendet e tyre.
Me përleshje të dhunshme mes protestuesve dhe autoriteteve në Shtetet e Bashkuara, aktivistë kundër brutalitetit policorë u mblodhën me mijëra në mbështetje të lëvizjes Black Lives Matter në qytete të ndryshme evropiane dhe afrikane.
Protestat paqësore nxorën në pah akuzat për abuzim me të burgosurit afrikano-amerikanë, pabarazinë sociale dhe ekonomike dhe racizmin institucional që vazhdon nga e kaluara koloniale e Holandës, Britanisë dhe Francës.
“Nëse doni të besoni se ne në Hollandë nuk kemi ndonjë problem me racën, ju duhet të shkoni në shtëpi,” i tha Jennifer Tosch, themeluese e kompanisë Black Heritage Amsterdam Tours, para një turme në Amsterdam, nga ku kompania holandeze West India operoi anije që vlerësohet se tregtuan 500,000 skllevër në vitet 1600 dhe 1700.
Në Londër, një protestues mbajti një pllakatë ku shkruhej “Mbretëria e Bashkuar nuk është e pafajshme”, ndërsa në Berlin rreth 2,000 njerëz protestuan përpara ambasadës amerikane dhe dy futbollistë të Bundesligës veshën të hënën bluzat me mbishkrimin “Drejtësi për George Floyd”.
Një mesazh i ngjashëm erdhi nga Dominique Sopo, presidenti i OJQ-së franceze SOS Racisme, e cila organizoi një protestë të vogël përpara ambasadës amerikane në Paris të hënën.
“Çështja e racizmit policor është gjithashtu, megjithëse me një nivel të ulët dhune, një problem që shqetëson Francën,” tha ai.
Policia në veriun e Parisit gjuajti me gaz lotsjellës të martën për të shpërndarë demonstruesit që protestuan për vdekjen në vitin 2016 të një francezi të ri afrikano-amerikanë në arrest policor – një incident që ka tërhequr paralele me vrasjen e Floyd.
Familja e Adama Traore ka fajësuar forcën e tepërt të përdorur gjatë arrestimit të tij, kur 24-vjeçari u hodh në tokë nga tre oficerë policie. Raportet e njëpasnjëshme të patologjisë kanë arritur në përfundime kontradiktore nëse vdekja e tij dy orë më vonë ka rezultuar nga asfiksimi apo faktorë të tjerë, përfshirë kushte para-ekzistuese.
Mes një bllokimi të koronavirusit, aktivistët francezë gjithashtu thonë se ka pasur një numër rastesh të brutalitetit policor në lagje me të ardhura të ulëta, ku shumë janë me origjinë nga Afrika.
Përleshje në Turqi
Në Stamboll, më shumë se 50 njerëz u përleshën me forcat e policisë disa minuta pasi filluan një protestë për George Floyd dhe atë që ata e quajnë brutalitet të policisë në Turqi.
Të paktën pesë persona u arrestuan pas përleshjeve me oficerët që mbanin mburoja, pas së cilës protestuesit e tjerë mbajtën fjalime duke denoncuar forcën vdekjeprurëse të policisë dhe ndalimin e demonstratave në Turqi gjatë pandemisë.
Në Nairobi, protestuesit në ambasadën amerikane mbajtën pankarta ku shkruhej “Black Lives Matter” dhe “Ndal Vrasjeve të Paligjshme”.
“Sistemi që lejon brutalitetin policor të ndodhë në Kenia bazohet në klasë. Në Amerikë, është në bazë racore dhe klasë”.
Protesta janë planifikuar në ditët e ardhshme në Gambia, Britani, Spanjë dhe Portugali.
Në Spanjë, protestuesit do të shënojnë vdekjen e Floyd dhe “të gjitha motrave dhe vëllezërve që kanë vdekur në duart e racizmit institucional në rrugët tona”, tha Komuniteti Afrikan dhe i pasardhësve afrikanë CNAAE.
Protesta e Portugalisë do të trajtojë “mitin se Portugalia nuk është një vend racist”.
Por jo të gjithë në Evropë janë në krah të protestuesve.
Partia e ekstremit të djathtë Vox të Spanjës dhe Partia Liria anti-Islamike e Holandës i quajti ata që protestojnë për vdekjen e Floidit “terroristë” dhe mbështesin Presidentin amerikan Donald Trump.
“Mbështetja jonë është për Trumpin dhe amerikanët që po shohin kombin e tyre të sulmuar nga terroristët në rrugë të mbështetur nga milionerët përparimtarë,” shkroi Vox në Twitter.
Në Holandë, Geert Wilders i Partisë Liria shkroi në Twitter: “Shtëpia e Bardhë nën sulm. Kjo nuk është protestë por anarki nga #AntifaTerrorists”./voa/
Shqipëria U19 mposhtet nga Danimarka në kualifikimet për Eur...
Xheneta refuzon ndarjen e përgjegjësive nga Arioni
Agim Ademi: Nuk do të ndalemi dhe do të vazhdojmë të kërkojm...
FRF i quan akuzat e Kosovës të pabaza dhe veprimet e futboll...
Laborator i sofistikuar për përpunimin e kokainës në Fushë-K...
Arrestohet polici “Pablo Escobar”, kishte fshehur 20 milionë...