Policia e Kosovës sqaron sulmin e truprojave të presidentit ndaj aktivistit të VV-së

17:05 | 4 Qershor 2020
L G

Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth rastit të sulmit të truprojave të presidentit Hashim Thaçi ndaj qytetarit, Veron Hasani, i cili e kishte quajtur hajn, presidentin deri sa ai po mbante konferencë për media në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

Policia, pretendon se lidhur me këtë rast i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme konfirmon autorizimeve ligjore që ka.

“Referuar rastit të ndodhur me 03.06.2020 afër Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku është ndaluar një person për ‘prishje të rendit dhe qetësisë publike’, Policia e Kosovës lidhur me këtë rast i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme konform autorizimeve ligjore që ka”, thuhet në njoftimin e policisë, raporton arbresh.info.

Sipas policisë, personit të shoqëruar në stacionin policor i është ofruar trajtimi mjekësor si dhe sipas detyrës zyrtare i është caktuar avokati mbrojtës.

“Njëkohësisht lidhur me veprimet e zyrtarëve policorë, sipas dispozitave të parapara ligjore është informuar Inspektorati Policor,  për trajtim dhe kompetencë të mëtejme të rastit.

Policia e Kosovës bashkëpunon ngushtë me institucionet e drejtësisë dhe Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe  mbetet e përkushtuar në respektimin e të drejtave të njeriut në zbatim të detyrave dhe autorizimeve ligjore”,bënë të ditur policia.

Ndryshe, sot  Prokuroria e Shtetit dhe Inspektorati Policor i Kosovës, kanë njoftuar se janë duke trajtuar incidentin në lidhje me veprimet e oficerëve të mbrojtjes së afërt të presidentit të Kosovës./arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme