Kundërshtarët e brendshëm të Avdullah Hotit

08:53 | 4 Qershor 2020
Arbresh.info

Pas votimit të së mërkurës në Kuvend me 61 vota, Avdullah Hoti mori postin e shefit të qeverisë.

Por, Hoti pos kundërshtarëve nga jashtë parisë së tij, tani ata i ka edhe brenda saj.

Lutfi Haziri, nënkryetari i LDK-së, e ka hedhë në dyshim punën e Hotit se mund të i’a dalë në menaxhimin e situatës që gjendet Kosova, shkruan Arbresh.info.

“Me thanë të drejtën, nuk do të doja me pa askënd në lëkurën e Avdullah Hotit, do të jetë kryeministër i radhës, duke besuar në kapacitetet e tij profesionale sidomos në ekonomi, besoj shumë që përballja e efekteve të pandemisë në ekonomi janë sfida më e randë, ndërsa, sfidën në dialog nuk e ka me Grenellin po me presidentin Thaçi. Ky moskomunikim që ka qenë mes kryeministrit aktual edhe presidentit, kjo gjuajtje politike, pingpong politik, sidomos në pandemi për dallimet në dialog që kanë gjeneru edhe tema tjera, tregon që formati i dialogut është problem, më shumë kush e udhëheq se sa rezultati final, pak a shumë po e dimë që Kosova, sovraniteti i saj, territori i saj është i panegociueshëm, Kosova nuk humb, po arrin me e kapërcu rubikonin politik, me marrë ulëse në OKB, për perspektivë evropiane. Mendoj që z. Hoti duhet ta marrë parasysh që s’e ka lehtë”, ka thënë Haziri në një paraqitje para medieve.

Haziri, tani është rreshtuar përkrah Vjosa Osmanit dhe qëndrimeve të saj kundër koalicionit me AAK-NIMSA-AKR, dhe Minoritetet.

E, as Vjosa Osmani nuk është pro krijimit të kësaj qeverie bile nuk e ka udhëhequr as seancën kur u zgjodhe kryeministër Hoti.

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se një Qeveri e cila varet nga votat e Beogradit, asnjëherë nuk mund të përfaqësojë vullnetin qytetar dhe se familja e saj politike asnjëherë nuk ka qenë Hashim Thaçi.

“Në radhë të parë, një Qeveri e cila varet nga votat e Listës Serbe, pra nga Beogradi, së cilës votën e 61 ja siguroi presidenti Thaçi, në kundërshtim me rolin e tij kushtetues, asnjëherë nuk mund të jetë përfaqësuese e vullnetit qytetar”, tha Osmani./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme