Nuk shkuan mbi 2 muaj në punë, punëtorët e Ministrisë së Mbrojtjes i marrin pagat si zakonisht

08:02 | 3 Qershor 2020
V. S.

Orari i punës për nëpunësit civilë është i rregulluar sipas ligjit për shërbyesit civilë në Republikën e Kosovës.

Ata nuk duhet të tejkalojnë dyzet orë punë, përveç nëse është përcaktuar ndryshe me këtë ligj ndërsa kanë të drejtë për një orë pushim gjatë tetë orëve të punës në ditë.

Por, një i tillë nuk është respektuar nga disa punëtorë të Ministrisë së Mbrojtjes, shkruan arbresh.info.

Në vitin 2019 kur kjo ministri udhëhiqej nga Rrustem Berisha janë identifikuar disa raste kur punëtorët kanë marrë paga, edhe pse nuk kanë shkuar në punë mbi 2 muaj.

Mos vijueshmëria në punë ka arritur deri në rreth 50 ditë.

Në raportin e Auditorit të Përgjithshëm, për këtë ministri thuhet se tre punëtorë nuk kanë shkruar në punë deri në 30 ditë, ndërsa një deri në 46 ditë. Sipas të njëjtit raport nuk ka pasur kontrolle dhe mbikëqyrje nga drejtorët e departamenteve për ardhje/vajtje të punonjësve në punë.

“Sipas ligjit 03/L-149 Për Shërbyesit Civil, neni 36 dhe rregullorja së Qeverisë 05/2010 për orarin e punës, neni 4, punëtorët janë të obliguar të punojnë 40 orë në javë. Ne kemi identifikuar tre raste, të cilët gjatë vitit 2019 kanë pasur mos vijueshmëri në punë deri në 30 ditë, derisa në një rast deri në 46 ditë, duke përjashtuar pushimet vjetore, mjekësore dhe festat zyrtare. Në këtë gjendje është reflektuar mungesa e kontrolleve dhe mbikëqyrjes nga drejtorët e departamenteve përkatëse të punonjësve dhe neglizhimit të ardhje/vajtjes së punonjësve në punë”, thuhet në raport.

Të njëjtit nuk kanë çuar dëshmi për arsyetimin të mungesave.

“Ndikimi mungesa e dëshmive të cilat konfirmojnë se zyrtarët të cilët paguhen nga ministria, janë duke punuar dhe se kompensohen vetëm për punën e bërë, rritë rrezikun e kryerjes së pagesave për zyrtarë të cilët fare nuk kanë punuar. Kjo është në kundërshtim me ligjet dhe rregulloret në fuqi dhe ndikon në dëmtim të buxhetit”, thuhet më tej.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar që të aplikohen ndalesa në pagë për mungesa të paarsyeshme dhe t’u ndërpritet kontrata në rast të përsëritjes.

“Ministri duhet që të shqyrtoj arsyet e mos vijimit në punë të zyrtarëve, ose në të kundërtën, të aplikoj ndalesat në paga për mungesën e paarsyeshme në punë. Në anën tjetër, në rast të përsëritjes së gjendjes, ministri të merr masat për ndërprerjen e kontratave sipas kërkesës së ligjit për Shërbyesit Civil dhe rregullores së lartë përmendur”, thuhet në njoftim.

Ndryshe në Nenin 36 të Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës është caktuar orari i punës.

“Orari i punës së nëpunësve civilë nuk do të tejkalojë dyzet (40) orë në javë, përveç nëse është përcaktuar ndryshe me këtë ligj. 2. Çdo nëpunës civil ka të drejtë një (1) orë pushim gjatë tetë (8) orëve të punës në ditë dhe, pos kësaj, një periudhë javore të pushimit së paku dyzetetetë (48) orë”, thuhet në ligjin për shërbyesit civil në Republikën e Kosovës.

Për këto dhe të gjeturat e tjera nga Zyra Kombëtare e Auditimit, Ministria e Mbrojtjes është pajtuar dhe nuk ka dhënë asnjë koment.

Në letrën e konfirmimit nga kjo ministri kanë deklaruar se brenda 30 ditëve do të dorëzojnë një plan të veprimit për zbatim të rekomandimeve, i cili do të përfshijë afatet kohore dhe stafin përgjegjës për implementimin e tyre./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme