Bajrush Ymeri, nënkryetar i Artanës, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se ekipet e kërkimshpëtimit janë duke punuar që t’i nxjerrin dy trupat nga Miniera e Artanës, dhe shpreson që këtë ta bëjnë gjatë dy orëve të ardhshme.
Sot në Minierën e Artanës dy punëtorë dyshohet se kanë vdekur. Për shkak të shembjes së dheut kanë mbetur të vdekur Idriz Gërbeshi, xehetar, me banim në Hajvali, dhe Haki Arifaj inxhinier i diplomuar i xehetarisë nga fshati Gllogovc, Komuna Lipjan.
“Edhe në këto momente kur ne po flasim ekipet e kërkimshpëtimit janë duke e bërë punnë e tyre. Ndoshta pritet që në orët e vona dhe po shpresojmë që pas dy ore t’i tërheqim trupat e pajetë të këtyre minatorëve”, ka thënë Ymeri.
Ai ka bërë të ditur se që nga mëngjesi, rreth orës 10:00, kur ka ndodhur tragjedia janë angazhuar që të japin kontributin e tyre.
“Pastaj kanë ardhur nga niveli qendror, ekipet e FSK-së dhe të gjithë janë mobilizuar që të fillojë operacioni i kërkim shpëtimit së bashku me punëtorët. Sipas fjalëve që na i thanë edhe drejtori edhe disa minatorë u tha se shembja ka qenë e madhe, është një shkëmb i përmasave të mëdha që është shembë dhe i ka nxënë”, ka treguar Ymeri.
Ai thotë se asnjëherë më parë nuk ka ndodhur një tragjedi e tillë.
“Me sa e mbaj mend asnjë rast tragjik të këtij lloji nuk e kemi pasur. Natyrisht puna është e rëndë dhe ka lëndime të minatorëve ndonjëherë, nganjëherë nga pakujdesia. Duke pasur parasysh këto asnjëherë nuk e kemi menduar se mund të vjen deri të kjo. Asnjëherë nuk ka paraqitur rrezikshmëri të lartë Miniera e Artanës. Ata janë të përgatitur dhe të gatshëm për punën që e bëjnë, por kjo ishte e papritur”, ka thënë ai.
Ai ka treguar tutje se sa punëtorë ishin duke punuar në ato momente kur ndodhi tragjedia.
“Sipas informatave që morëm në atë galeri ku punojnë ishte një numër i madh i punëtorëve, mbi 20 kanë qenë duke punuar, por ata kanë qenë të ndarë në ekipe. Për momentin aty kanë qenë katër, sipas minatorit që ka qenë duke punuar dhe është lënduar. Përnjëherë është shemb dhe ky ka qenë më larg dhe ka pësuar lëndime dhe tha se është mirë, por natyrisht i shqetësuar për atë çfarë ndodhi. Është rasti i parë që një inxhinier punon krahpërkrah me një punëtor dhe humb jetën. Njërin Idrizin e kam takuar dhe e kam njohur, ndërsa inxhinierin Hakiun nuk e kam takuar, porse pat fjalë të mira se ishin punëtorë të vyeshëm”, ka thënë Ymeri.
Ai thotë se në fillim nuk dihej se çfarë ka ndodhë dhe kush ka mbet brenda dhe kush është i rrezikuar.
“Kur arritëm aty minatorët na e rrëfyen ngjarjen, por ishte edhe dëshmitari, që tha se ata dy i ka nxënë shembja dhe kanë humbur jetën”, ka thënë Ymeri.
Tutje Ymeri ka thënë se një grup i punëtorëve në këtë minierë ka nisur punën vetëm para dhjetë ditësh. Ka shtuar se te ta është vënë re traumë më e madhe, por ka deklaruar se pret që “të marrin veten e të vazhdojmë me punën”.
Ymeri ka shtuar se edhe ky rast duhet të shërbejë si mësim për të përmirësuar kushtet e për të shtuar sigurinë në vendin e punës për minatorët.
Ymeri po ashtu është ankuar për buxhetin e vogël të kësaj komune. Sipas tij, buxheti nuk mjafton për të investuar në të gjithë territorin e komunës.
“Na është dhënë shumë territor e pak mundësi për investime. Ende s’kemi arritur të bëjmë diçka kryesisht për fshatrat që ishin me Gjilanin. Ende s’ua kemi zgjidhur problemet infrastrukturore për mungesë të buxhetit. Buxheti s’pritet të rritet sepse ai po ndahet për kokë banori, pasi jemi pak dhe po vazhdojmë të mbesim edhe më pak, buxheti po mbetet i njëjtë. Po shpresoj të kemi ndonjë përkrahje, e do të kërkoj ndihmë nga Qeveria të ndihmojë, kryesisht Ministria e Infrastrukturës”, ka deklaruar ai.
Ymeri i LDK-së ka folur edhe për qeverisjen e partisë së tij, një ditë para seancës ku pritet të votohet për Qeverinë Hoti. Ka thënë se LDK-ja është shembull se si duhet të qeveriset vendi.
“Ne kemi udhëhequr qeverinë nga viti 2014 deri më 2016. Kryeministri Mustafa dhe ministrat tanë treguan shembull të mirë të qeverisjes. Për periudhë të shkurtër u tregua se si është të qeveriset mirë. Konsideroj se janë arritur rezultate shumë të mira për periudhë të shkurtër. Atë kohë qeveria s’i kishte mundësitë e mëdha sepse s’udhëhiqte e vetme, apo s’kishte kontroll të mjaftueshëm të Qeverisë. PDK-ja s’ishte e interesuar që Qeveria Mustafa të ishte e suksesshme sepse edhe ishin zgjedhjet komunale, por edhe ato të përgjithshme. Treguam shembull të mirë të udhëheqjes”, ka thënë ai./koha.net/
UNDP i dhuron policisë pajisje pune për kontroll në vijën e ...
Anisa-Gjestit: Ti je qeni i Xhenetës
Ismet Bahtijarit i vazhdohet paraburgimi nga Specialja
Dronë të dyshimtë mbi bazat ushtarake amerikane, Britania di...
Vesa Luma shënon 20-vjetorin e karrierës së saj me koncert m...
Gjermani, AfD rekomandon daljen nga BE në programin e saj el...