Google ADS

Islam Pacolli shpreh ngushëllime për vdekjen e dy personave në Minierën e Artanës

17:56 | 2 Qershor 2020
Arbresh.info

Ish deputeti nga AKR-ja Islam Pacolli ka reaguar për tragjedinë e ndodhur në Minierën e Artanës.

Pacolli ka shprehur ngushëllimet për fatkeqësinë e sotme ku thuhet të kenë humbur jetën Idriz Gërbeshi dhe Haki Arifaj, transmeton portali arbresh.info.

“Tragjik lajmi për humbjen e jetës së minatorëve të Minierës së Artanës si pasojë e fatkeqësisë që ndodhi sot gjatë ditës. Në emrin tim dhe familjes shprehe ngushëllimet më të sinqerta për familjarët të afërmit dhe kolegët e të ndjerëve z. Idriz Gerbeshi dhe z. Haki Arifaj”, shkruan ai.

Tutje ish deputeti edhe herë të tjera ka ngritur shqetësimin për kushtet e rënda të punës në këtë minierë.

Shkrimi i tij i plotë:

Tragjik lajmi për humbjen e jetës së minatorëve të Minierës së Artanës si pasojë e fatkeqësisë që ndodhi sot gjatë ditës. Në emrin tim dhe familjes shprehe ngushëllimet më të sinqerta për familjarët të afërmit dhe kolegët e të ndjerëve z. Idriz Gerbeshi dhe z. Haki Arifaj

Gjatë mandatit tim 2 vjeçar si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës disa herë kam ngrit shqetësimin dhe brengen e thellë për kushtet e rënda të punës në këtë minierë – kam kërkuar dhe iniciuar investimet e domosdoshme, duke përfshi edhe fillimin e ndërtimit të mensës së re e cila ka qenë një nga shumë kërkesat e minatorëve të Minierës së Artanës, të cilët gjatë mandatit tim i kam takuar e vizituar me dhjetëra herë.

Miniera e Artanës është pasuri e pazëvendësueshme e popullit të Kosovës siç është e tërë ndërmarrja Trepça Sh.A. Sakrifica e minatorëve është vlera më sublime në funksion të prodhimit e zhvillimit industrial të Kosovës. Por Trepça Sh.A. ka nevojë për dorën e shtetit për ta ndihmuar e investuar në të, ndërsa kujdesi për minatorët dhe familjarët e tyre është obligim – ky obligim fillon duke bërë gjithçka që kjo fatkeqësi të jetë e fundit dhe të mos përsëritet asnjëherë.

Me respekt,

Islam Pacolli

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme