Reciprociteti me Serbinë dëmton edhe bizneset kosovare

08:20 | 2 Qershor 2020
Arbresh.info

Pikërisht dy muaj pas largimit të tarifës doganore 100% ndaj mallrave të importuara nga shtetit serb, Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka plotësuar vendimin për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë.

Sipas plotësimeve dhe ndryshimeve të këtij vendimi, ndër të tjera ndalohen dokumentet për produktet bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve që përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, shkruan arbresh.info.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini ka thënë për arbresh.info se ndryshimet kanë qenë të panevojshme dhe jokreibile.

“Në këtë kohë masa e reciprocitetit është dashur të koordinohet nga faktori ndërkombëtar dhe faktin vendor duke marrë mbështetje që duhet të jetë e koordinuar që mbështetje të mos dëmtohet biznesi vendor. Sipas informacioneve që ne kemi janë mbi 70 maune me mallra që janë planifikuar të hyn në Kosovë por që nuk po mund të hynë dhe e gjitha ngarkesa e shpenzimeve do t’i ngarkohet bizneseve kosovare. Në këtë kohë ka qenë e panevojshme të bëhet këto ndryshime dhe jokredibile”, ka thënë ai për Arbresh.info.

Shahini ka thënë se këto ndryshime po dëmtojnë edhe bizneset kosovare.

“Masat e reciprocitetit të vendosura nga Qeveria e Kosovës nuk janë befasuese për ne për shkak se kjo Qeveri gjithmonë merr vendime befasuese dhe ato natën, paparalajmërim të bizneseve të Kosovës  që mund të kenë mauna rrugës apo mund të kenë planifikuar ngarkesa të ndryshme e që kjo tashmë I ka dëmtuar disa biznese të Kosovës që kanë maune duke hyrë nga vendet të ndryshme të BE-së apo edhe nga Serbia”, ka shtuar ai.

Sipas të parit të Aleancës Kosovare të Biznesit, ndryshimet e tilla dëmtojnë edhe marrëdhëniet Kosovë-SHBA-BE.

“Në kohën kur Kosova po hynë në fazën dialog me Serbinë, dhe SHBA-të kërkojmë që kjo të filloj pa asnjë kusht ne po i ashpërsojmë marrëdhëniet me këtë të fundit dhe BE-në dhe Kosova nuk po lënë mbështetje të faktorit ndërkombëtar të fazat e ardhshme shumë të rëndësishme dhe vendimtare për vendin. Ne nuk duhet të cenojmë në asnjë formë raportet e Kosovës me diplomacinë ndërkombëtare për vendime popullsitë, klienteliste dhe politike”, ka përfunduar ai.

E, për këto ndryshime ka reaguar edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Lajçak është shprehur i zhgënjyer pas vendimit, dhe ka kërkuar që të reciprociteti të largohet menjëherë.

“I zhgënjyer për masat e reja të reciprocitetit, të vendosura nga qeveria në detyrë e Kosovës. Veprime të tilla të njëanshme e minojnë rifillimin e dialogut dhe duhet të largohen menjëherë. Siç është thënë vazhdimisht, ne presim që të dyja palët në dialog t’i zbatojnë dhe t’i respektojnë marrëveshjet e kaluara”, kishte shkruar Lajçak në Twitter.

Më 30 maj, Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj ka miratuar ndryshim dhe plotësimin e vendimit për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë.

Përmes këtij vendimi ndalohen dokumentet për produktet bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve që përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, emrat e vendeve në Republikën e Kosovës por pa emërtimin e shtetit, që nuk i referohen me Republika e Kosovës dhe përmbajnë çfarëdo elementi që mohon pavarësinë dhe sovranitetin  e Republikës së Kosovës.

Gjithashtu obligohet Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të përdorë stemën dhe emrin Republika e Kosovës në certifikatat fitosanitare dhe veterinare, ndërsa operatorët ekonomik nga Serbia duhet të pajisen me leje hyrëse për secilin automjet të transportit të mallrave që hyn në Republikën e Kosovës nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi.

Aty u bë e ditur gjithashtu se vendimi mbetet në fuqi për afat të pacaktuar. /AgnesaCitaku/arbresh.info/

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme