Google ADS

GAP: Shkaku i pandemisë të hyrat komunale pësuan rënie prej 45-90 për qind

11:21 | 31 Maj 2020
L G

Instituti GAP ka publikuar një raport mbi ndikimin e pandemisë Covid-19 në pushtetin lokal.

Sipas GAP-it ndërmarrja e masave për frenimin e pandemisë COVID-19 ka ndikuar në dinamikën e punës në të gjitha komunat e Kosovës.

“Pushteti lokal ka luajtur rol aktiv në ndërmarrjen e masave në parandalimin e përhapjes së virusit. Të gjitha komunat e Kosovës kanë aktivizuar shtabet lokale të krizave dhe kanë krijuar grupet operative në terren. Përveç këtyre masave, komunat janë koordinuar në vazhdimësi për vendimet dhe masat e ndërmarra nga niveli qendror. Ky koordinim ka qenë i plotë edhe efikas”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet e në të gjitha komunat, të hyrat komunale gjatë gjysmës së dytë të muajit mars 2020 dhe në muajin prill kanë pësuar rënie prej 45% deri 90%.

“Gjatë këtyre dy muajve, të gjitha komunat kanë arkëtuar 5.8 milionë euro të hyra, apo rreth 9.3 milionë euro më pak krahasuar me muajt e njëjtë të vitit të kaluar (2019). Komunat do të dalin të dëmtuara në të hyra vetanake veçmas nga kategoria e tatimit në pronë, nga gjobat policore në rrugët lokale, nga vendimet e gjykatave dhe nga shfrytëzimi i hapësirave publike nga ana e gastronomisë. Një pjesë e komunave kanë aprovuar pako ekonomike ku kanë paraparë faljen e shumicës së pagesave që janë planifikuar të bëhen në 2020 nga bizneset. Edhe gjobat në trafik kanë rënë për 90%”, thuhet në komunikatë.

GAP-i shton se përveç të hyrave vetanake, komunat nuk do të arrijnë t’i përmbushin as planet e parapara në fushën e investimeve kapitale. Nga hulumtimi i zhvilluar në 16 komuna, ka dalë që janë së paku 124 projekte kapitale që do të shtyhen si pasojë e gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19.

“Kjo gjendje ka ndikuar edhe në rënien e numrit të të punësuarve. Sipas të dhënave të Fondit të Kursimeve Pensionale, në prill 2020 ka më pak kontributpagues nga secila komunë krahasuar me muajin dhjetor 2019”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme