Zyrtare: Besa dhe Arbëria promovohen në Superligë, pas anulimit të sezonit në Ligën e Parë

18:05 | 27 Maj 2020
A. B.

Besa dhe Arbëria janë promovuar në Ipko Superligë, as anulimit të sezonit në Ligën e Parë, njofton Federata e Futbollit e Kosovës.

Besa e Pejës ishte lidere me 40 pikë në Ligën e Parë – kategoria e dytë e futbollit të Kosovës – e ndjekur nga Arbëria me katër pikë më pak, kur sezoni u pezullua në fillim të muajit mars.

Në përputhje me udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë, FFK-ja vendosi ta rikthejë vetëm ligën elitare të futbollit, Superligën, dhe Kupën e Kosovës dhe t’i anulojë të gjitha ligat e tjera për shkak të pandemisë koronavirus.

“KE duke marrë për bazë gjendjen e krijuar nga Pandemia Covid -19 dhe me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullsisë dhe në bazë të Vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, ku janë lejuar garat vetëm në Ipko Superligë, për ligat tjera mori vendim që të mos zhvillohen garat dhe rezultatet do të merren sipas tabelës aktuale para fillimit të pandemisë, por edhe duke ruajtur edhe mundin e secilit klub”, shkruhet në njoftimin e FFK-së.

Nuk do të ketë rënie nga Liga e Parë, të cilës do t’i bashkohen Kika dhe KF A&N nga sezoni i ardhshëm.

“Kështu që, nga Superliga largohen 4 skuadra dhe i bashkëngjitën Ligës së parë, derisa Superligës do t’i bashkëngjitën dy skuadra – KF”Besa” që ndodhet në vendin e parë në tabelë dhe KF ”Arbëria” që ndodhet në pozitën e dytë dhe nga Liga e Parë nuk largohet asnjë skuadër, por i bashkëngjitën KF”Kika dhe KF”A&N” që vijnë nga Liga e dytë dhe që i bie që kjo ligë nga edicioni i ardhshëm do të numërojë 20 skuadra”, thuhet tutje në njoftim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme