Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të na lë pa qeveri e pa president?

10:06 | 25 Maj 2020
Arbresh.info

Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi të premten masën e përkohshme me të cilën pezullohet zbatimi i dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e ri për formimin e qeverisë së Kosovës.

Vendimi i Gjykatës pasoi kërkesën e lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit Thaçi e cila njëkohësisht kërkoi nga Gjykata edhe vendosjen e masës së përkohshme, shkruan Arbresh.info.

Në vendimin e gjykatës thuhet se ajo “vendosi të miratojë masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 29 maj 2020” dhe të pezullojë mënjehërë zbatimin e Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, në kohëzgjatje të përcaktuar në pikën e parë të këtij diapozitivi”.

Në vendim thuhet se “gjykata, pa paragjykim ndaj pranueshmërisë ose meritave të kërkesës, ka përfunduar se kërkesa e parashtruesve për masë të përkohshme përkitazi me Dekretin e kontestuar të Presidentit duhet të miratohet si e bazuar”.

Por, nga vendimi i Gjykatës Kushtuese varet edhe presidenti i vendit. Hashim Thaçi ka thënë se dhe mund të japë dorëheqje nëse Gjykata e vë në dyshim dekretin e tij.

 

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, tha për Rubikon se nëse Gjykata Kushtetuese vendosë në favor të Lëvizjes Vetëvendosje, ai do të mbajë përgjegjësi për dorëzimin e dekretit për mandatimin e Hotit.

”Unë do ta respektoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të gjitha partitë politike duhet ta respektojnë, shoqëria duhet ta respektoj dhe duket të mësohemi t’i respektojmë vendimet edhe kur nuk na pëlqejnë”.

”Me besim të plotë dhe të rekomandimeve të të gjithë këshilltarëve kam vepruar në këtë drejtim, mendoj që kam të drejtë, por Gjykata Kushtetuese është ajo që e jep verdiktin, jo unë askush tjetër. Nga ana ime çfarë do që të jetë vendimi do të jetë i respektuar”.

”Unë mbajë përgjegjësi të plotë me vendimin që mund të nxirret nga Gjykata Kushtetuese dhe i marr përsipër”.

”Jam i gatshëm t’i marr përsipër pasojat siç kam qenë i gatshëm t’i marrë përsipër edhe përgjegjësitë me dekretimin e Hotit, jam i gatshëm t’i marrë përgjegjësitë e vendimmarrjes nga Gjykata Kushtetuese”.

”Unë nuk jam nga ata që kam ikur nga përgjegjësitë dhe këtë e deklaroj edhe publikisht para qytetarëve, por do të ishte me interes që të gjithë ta respektojnë sepse është në interes të shtetit.

”Unë do t’i respektoj në plotësi vendimet e Gjykatës Kushtetuese, unë besoj në vendimmarrjen time, por në të njëjtën kohë zotohem për respektim të plotë të Gjykatës Kushtetuese”.

I pyetur se a do të jap dorëheqje nëse Gjykata Kushtetuese vendosë se është bërë shkelje me dorëzimin e dekretit, Thaçi tha se ky është një çmim të cilin ai është i gatshëm ta paguaj.

”Unë nuk e di çfarë vendimi do të nxjerrë Gjykata Kushtetuese,  nuk i di opinionet e tyre, ata duhet t’i lëmë të qetë, por nëse duhet me pagu çmim presidenti i vendit vetëm që vendi të ecë përpara”, ka deklaruar Thaçi.

Nëse presidenti jep dorëhejqe atëher atë e zëvendëson kryetarja/kryetari i kuvendit, në këtë rast Vjosa Osamni, raporton Arbresh.info.

Sipas kushtetuese së Kosovës thuhet kështu:

Neni 90 [Mungesa e Përkohshme e Presidentit]

  1. Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij/saj, ajo/ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij/saj, Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës. Urdhri i Presidentit për kalimin e përgjegjësive duhet të përmbajë veçanërisht arsyet dhe kohëzgjatjen e kalimit të përgjegjësive, nëse ka njohuri për to. Presidenti i Republikës së Kosovës do të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive kur të jetë në gjendje t’i ushtrojë përgjegjësitë, dhe kështu Kryetarit të Kuvendit i pushon posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit.
  2. Në rast se nuk ka ndodhur kalimi vullnetar i përgjegjësive, Kuvendi i Republikës së Kosovës, pas konsultimit me konsiliumin mjekësor, me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve vendos nëse Presidenti i Republikës së Kosovës është përkohësisht i paaftë për të ushtruar përgjegjësitë e veta. Kryetari i Kuvendit të Kosovës do të shërbejë si ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës derisa ajo/ai të bëhet i aftë që të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive të Presidentit.
  3. Posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë (6) muaj.

Kujtojmë, që me 25 mars,  me 82 vota për, 32 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti./Arbresh.info/

Të ngjashme