Nga: Ben Andoni
Ashtu si pritej, Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s, mori vendimin që Kosovën ta propozojë për anëtarësim në organizatën kulturore të OKB-së, gjatë Konferencës së Përgjithshme, e cila do të mbahet në muajin nëntor. Është fare e qartë se pengesa që mund t’i bëhet tani e mbrapa është minore dhe Kosova do jetë me të drejta të plota në UNESCO, një fakt, që po të mos ishte politika në mes, duhet ta përshëndesnin njëzëri të tre vendet: Shqipëria, që e propozoi; vetë Kosova; por edhe Serbia, që e kontestoi. Arsye është që në Kosovë është një trashëgimi e vyer e përbashkët për qytetërimin e sotëm evropian e të gjitha natyrave historike-kulturore-natyrore, që e meriton ombrellën e UNESCO-s. Ani, politika dhe mënyra sesi po shfrytëzohet është krejt e pandershme. Vetë Kosova politike po e shfrytëzon qenësinë në UNESCO, që duhet thënë se është një hap më afër drejt anëtarësimit me të drejta të plota në OKB, për të fashitur problemet e mëdha të brendshme; Shqipëria për të bërë rolin e padrones së mirë të shtetit amë; ndërsa serbët për të hequr vëmendjen nga lufta e brendshme politike dhe problemet e mëdha ekonomike, që çuditërisht ngjajnë si dy pika uji me Shqipërinë.
Në këtë luftë për UNESCO-n, u kuptua mirë prej javësh prirja e votimit, dhe ata që u dorëzuan të parët ishin medoemos serbët. Ata jo vetëm iu nënshtruan fatit, por mbledhja e dy ditëve më parë e gjithë strukturës së shtetit: Kuvendit, Qeverisë, Patriarkanës dhe Akademisë së Shkencës tregonte dorëzimin shtetëror de facto, por jo de jure. Çka do të thotë se Kosova tashti e mbrapa, nuk duhet t’i mbrojë thjesht me deklaratën e veçantë që paraqitën zyrtarët e saj objektet e kultit serb dhe realisht zemrën e religjionit sllav, por duhet të tregojë shumë mëndjeçeltësi për t’i trajtuar njësoj, si të gjitha vendet e trashëgimisë. Një fakt, që mund t’ia kërkosh dhe që respektohet natyrshëm në pjesën intelektuale, por është fare e vështirë në pjesën e popullit, që kanë njohur represion dhe dëbimin masiv prej serbëve të fund viteve ’90. Kosova, që momentalisht është në delir, nuk duhet të harrojë se anëtarësimi në UNESCO po kthehet thjesht në kapital për politikanët e Kosovës, strukturën e shoqërisë më të papërgjegjshme deri tani, por jo vetë Kosovën. Që tashti i duhet të matet mirë për gjithçka që ka lidhje me mbrojtjen e kësaj kulture të madhe që e ka në dheun e vet, por edhe me shkopinjtë në goma si dhe ‘pamundësinë për të treguar kujdesin e duhur’ që do i vij prej presioneve, mosmarrëveshjeve dhe pakënaqësive të serbëve.
Për hir të së vërtetës, shqiptarët e Shqipërisë kanë një eksperiencë jo të mirë me UNESCO-n. Lidhja daton që në vitet para ’90 dhe gjithnjë Tirana zyrtare ka qenë në shënjestrën e pakënaqësive dhe shpesh të kritikuar pas ‘90 deri për t’i larguar nga UNESCO, thjesht prej detyrave, që zakonisht nuk i zgjidhin politikanët, por strukturat kulturore të shtetit, që janë prishur rregullisht nga politikanët. Ja pse serbët kanë filluar të luajnë në mbrojtje dhe në mbledhjen e pardjeshme dhe me deklaratat e kryetarit të Akademisë (që në dukje kanë treguar se po tërhiqen dukshëm), duhet t’u vihet veshi për hapat që do bëjnë në të ardhmen për trashëgiminë e tyre në Kosovë, mu atë që e humbën prej vetë sjelljes së tyre dhe që do t’u duhet të kalkulohen mirë para se do të maten ta posedojnë (ashtu si e duan), në të ardhmen.
Mbase është e tepërt në këtë ditë gëzimi për Kosovën, që t’i shkruajmë këto, por këshilla e Lakoontit dhënë trojanëve që të kenë kujdes, është gjithnjë aktuale, qoftë edhe në këto kohë globalizmi, sepse angazhimi u kërkon kosovarëve të jenë vërtetë syçelë për të ardhmen e tyre, që gjithnjë e më shumë po tregon se… nuk është aq e lehtë për ta.
“Gati shqipe!”, Rama, sot takim me shqiptarët në...
Horoskopi, çfarë parashikojnë yjet për ju
Stuhitë shkaktojnë kaos në Irlandë, Francë dhe Britani të Ma...
Gresa pyet banorët nëse janë të lumtur – Vullneti befason me...
Shërbimi Korrektues i Kosovës shënon 25-vjetorin e themelimi...
Moti sot me diell dhe pjesërisht i vranët