Google ADS

Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon shkurtimin e fazës së dytë të masave ndaj Covid-19

10:19 | 23 Maj 2020
Arbresh.info

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar shkurtimin e fazës së dytë të masave ndaj Covid-19. Sipas një njoftimi për media, kryetarët kanë kërkuar që të rishikohen masat vetëm në përputhje me situatën, e cila sipas tyre, vlerësohet të jetë pozitive.

AKK-ja thotë se edhe bazuar edhe në rënien ekonomike, faza e dytë duhet të rishikohet dhe të shkurtohet.

“Kryetarët kërkojnë që masat të rishikohen vetëm në përputhje me situatën, e cila situatë është duke u vlerësuar si pozitive për rishikimin e masave të fazës së dytë që është duke u larguar nga rreziku i shëndetit publik. Në këtë drejtim, duke u nisur edhe nga parimi edhe situata aktuale ekonomike, me tendenca që të kemi rënie të theksuar ekonomike, vlerësojmë se do të duhej që faza e dytë të rishikohet dhe që të shkurtohet. Humbjet ekonomike tashmë mund të jenë shumë të mëdha”, thuhet në njoftim.

AKK njofton se për shkak të situatës së krijuar me Covid-19, kanë rënë të hyrat vetanake të komunave, duke shtuar se nëse vazhdohet me fazën e dytë do të dëmtohen edhe bizneset.

“Në anën tjetër, buxhetet komunale përbëhen nga grantet qeveritare, investimet kapitale qendrore dhe të hyrat vetanake. Të hyrat kryesore vetanake të komunave përbëhen nga: tatimi në pronë, lejet e ndërtimit dhe taksat komunale. Këto të hyra kanë rënë ndjeshëm dhe nëse vazhdohet edhe më tutje me masa të fazës së dytë, së pari dëmtohen bizneset të cilat për një ditë që nuk punojnë kanë humbje financiare të konsiderueshme por edhe buxhetet komunale do të pësojnë nga mos-mundësia e operimit të bizneseve”, thuhet tutje në njoftim.

Kryetarët e komunave vlerësojnë që me lehtësimin edhe të mëtutjeshme të masave qytetarët do të fillojnë të paguajnë edhe obligimet ndaj komunave e të cilat obligime do e ngritin inkasimin e të hyrave vetanake. Ndërkaq për mjetet e mbledhura nga këto të hyra, AKK thotë se do të investohen në projekte të cilat do e përmirësojnë jetën e qytetarit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme