Shkruan: Valon Murati
E dëgjova presidentin mbrëmë duke folur kundër shkëmbimit të territoreve dhe duke qenë krejt i paqartë se çka nënkupton korrigjimi i kufijve.
Fjalët se do të punojë për bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën tani më nuk e paraqiti si projekt politik për të cilin do të angazhohet seriozisht dhe si të mundshëm por si dëshirë.
E la të nënkuptohej se nuk do të merret me atë punë. Ngadalë, pasi që projektin që nga fillimi i shpërfaqi jo të qartë për qytetarët por rikthehet në qëndrime tek e gjithë klasa politike e frikësuar dhe refuzuese ndaj kësaj ideje për arsye e interesa të ndryshme, por asnjëra në funksion të interesit publik e kombëtar.
Po rikthehet ta dojë më shumë Leposaviqin në Kosovë sesa Kosovën me Preshevë. Duke fol ai, e duke i ndryshuar fjalët ku me ditë sa herë këto vitet e fundit mu kujtua një tregim që na e tregonte shpesh Bahri Fazliu gjatë viteve 90’. Diku në Llap, djali e baba vijnë në përfundim se nuk largohet Serbia pa luftë. Por vendosin t’i thërrasin edhe burrat e katundit që ta kuvendojnë këtë punë e të fillojnë të organizohen. Pasi vijnë burrat e katundit në odën e tyre, djali e baba e hapin bisedën rreth luftës.
Por pasi çelet muhabeti i luftës mysafirët fillojnë të largohen ngadalë. Në fund mbeten vetëm djali e baba. Atëherë djali i thotë babës: “babë po më duket që na mbet lufta te dera”.
E unë me vete, pak me buzëqeshje pak me ironi, më shkoi mendja sesi kjo puna e kufijve na mbet te dera ne LB-së prapë. Por, ashtu si djali e baba që kishin pas mbet vetë, por në fund veç lufta ishte zgjidhja për lirinë e Kosovës, pa marrë parasysh se çka thonë presidentët tanë, kryeministrat (ish, aktual e në ardhje), liderët e pozitës e opozitës, analistë e gazetarë, nuk ka zgjidhje tjetër të drejtë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë përveç ripërcaktimit të kufijve.
Nëse duam zgjidhje të përhershme të problemeve me Serbinë, nëse e duam Kosovën shtet funksional, nëse duam heqje të privilegjeve të padrejta për pakicën serbe (jo edhe të drejtat e tyre), nëse e duam ndryshimin e kushtetutës për t’i bërë këto ndryshime, nëse duam hapjen e rrugës për bashkim, nëse duam stabilitet, sundim të ligjit e zhvillim ekonomik, nëse mendojmë pak për shqiptarët e Kosovës Lindore që janë pjesë e pandarë e jona, këtë e mundëson vetëm ideja e ripërcaktimit të kufijve.
Pjesa shqiptare e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën, pjesa serbe e Leposaviqit, Zubint Potokut e Zveçanit me Serbinë. Të tjerat zgjidhje janë: të mbesim në status quo degraduese ose të bosnjëzohet Kosova përmes asociacioneve apo autonomisë për veriun dhe të vazhdohet vuajtja e qytetarëve të këtij vendi edhe për dekada. E në fund në vend se të ripërcaktimit të kufijve sot, do të kemi vërtetë ndarjen e Kosovës nesër. Është koha e fundit të mendojmë jashtë skemave e kufijve mendorë që na i kanë caktuar tjerët e kufij të cilët po i betonizojmë ne edhe kur të tjerët po ndryshojnë.
______________________________________________________________________________________________________________
Shënim: Opinioni që sapo lexuat nuk shpreh qëndrimin/opinionin e Arbresh.info. Ai është një trajtim sipas bindjeve të autorit dhe shpreh vetëm opinionin e tij rreth çështjes që trajton.
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...
Kërcënime me bomba në dhjetëra shkolla në Gjermani
Çdo 10 minuta, në botë vritet një grua