Google ADS

Kurti flet me Džaferovićin e Bosnjës, dakordohen se ideja e shkëmbimit territorial në mes Kosovës dhe Serbisë është e rrezikshme

18:12 | 22 Maj 2020
Arbresh.info

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti sot zhvilloi një bisedë telefonike me Kryetarin e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës dhe anëtarin Boshnjak të Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, z. Šefik Džaferović.

Në fillim të bisedës ata diskutuan në lidhje me situatën me COVID-19 në vendet respektive, duke i komunikuar njëri-tjetrit masat që qeveritë e dy vendeve kanë ndërmarrë në luftimin dhe menaxhimin e përhapjes së virusit Corona.

Tutje, ata biseduan për marrëdhëniet bilaterale, lëvizjes së lirë të mallrave dhe të personave në mes dy shteteve. Me këtë rast, z. Džaferović falënderoi Kryeministrin në detyrë Kurti për vendimin për largimin e tarifës 100% ndaj mallrave nga Bosnjë dhe Hercegovina. Kryeministri në detyrë Kurti tha se Republika e Kosovës nuk duhet ta trajtojë dhe nuk do ta trajtojë njësoj Bosnjën dhe Hercegovinën sikurse Serbinë. Të dy konstatuan se kërcënimi më i madh me të cilin përballemi në dy vendet është lloji i politikës që nuk pati sukses gjatë luftës në vitet 90-ta, dhe se ideja e shkëmbimit territorial në mes Kosovës dhe Serbisë është e rrezikshme pasi e njëjta na kthen në vitet e 90-ta.

Në fund, kryeministri në detyrë Kurti dhe Kryetari i Presidencës Džaferović theksuan dhe u pajtuan se bashkëpunimi në nivel kulturor dhe historik duhet të forcohet, derisa ripërsëritën zotimin se Kosova dhe Bosnjë dhe Hercegovina mbeten të përkushtuara në anëtarësimin e tyre në NATO dhe Bashkimin Evropian./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme