Gërxhaliu: Pas Covid-19, Kosova do ballafaqohet me pandeminë ekonomike dhe sociale

00:21 | 20 Maj 2020
Trina Galanxhi

Eksperti i Ekonomisë, Safet Gërxhaliu ka paralajmëruar efektet që do të kenë sektore të ndryshme si pasojë e pandemisë Covid-19 në Kosovë.

Gërxhaliu deklaroi në Klan Kosova se sektori privat do të goditet më së shumti nga kjo gjendje, ku do të pësojë humbje rreth 750 milionë euro.

”Jemi dëshmitarë nga ajo që po përcjellim, por 2020-ta në veçanti për Kosovën ka sfidat e veta”.

”Në këtë situatë duhet ta kemi një qasje pak më ndryshe ndaj krizave ekonomike”.

”Kosova ka hyrë në vitin 2020 me krizë, dhe sot krahas vendeve të tjera efektet janë shumë të mëdha, pasojat do të vërehen në të ardhmen”.

Më tej Gerxhaliu thotë se pas gjendjes me Covid -19, Kosovën e pret një tjetër pandemi, njofton Klan Kosova.

”Pas kësaj Kosova do të ballafaqohet me pandemi ekonomike dhe sociale. Është një sfidë ku kërkohet angazhim e përkushtim”.

”Vet fakti që kemi 280 mijë punëtorë dhe pjesërisht janë paguar për muajin mars, është simptomi i parë, kemi një tkurrje të bizneseve dhe kjo është situatë shqetësuese”.

”Sa i përket pakos emergjente është një vonesë por besoj që duhet të kuptohet që kemi hyrë në një mungesë buxhetore”.

Ai shpreh shqetësim se për këtë vështirësi ekonomike me të cilën do të ballafaqohet Kosova, vështirë që do të gjendet zgjidhje.

”Dua të besoj që do të gjenden alternative për të mbyllur atë vrimën e zezë buxhetore. Jemi shumë prapa Ballkanit Perëndimor, jemi shumë prapa Europës”.

”E kam parë një metodë shumë interesante që në Gjermani ka dhënë shumë efekte pozitive në vitin 2008. Në këtë drejtim kanë vepruar edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

”Ka pasur mbështetje sa i përket banesave qirave të bizneseve. E tëra kjo duhet të jetë një model që edhe Kosova duhet ta bëjë”.

”Është e pamundur të ketë stabilitet ekonomia nëse kemi një nivel jostabil politik. Dua të besoj që njerëzia duhet ta mësojnë që nga patriotizmi folklorik nuk jetohet”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme