Google ADS

Haxhiu: Grenell deshi marrëveshje të shpejtë, por Serbia ka borxh për t’i paguar Kosovës

22:42 | 14 Maj 2020
L G

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se ishte në interesin e të dërguarit të presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell, që të arrihet një marrëveshje e shpejtë Kosovë-Serbi.

Por, sipas saj, shpejtësia do të ishte në dëm të Kosovës, e cila është viktimë e krimeve të Serbisë dhe se ky borxh duhet të dialogohet fillimisht.

“SHBA-të për ne janë aleatë dhe për këtë s’ka diskutim. Por, kur SHBA-ja është para zgjedhjeve edhe Grenellit i intereson që të arrijë një sukses. Një marrëveshje e shpejtë padyshim që ndikon edhe në suksesin e tij”, tha ajo në Klan Kosova.

“Ne nuk pranojmë të shkojmë dhe të nënshkruajmë marrëveshje me presidentin që tha se duhet hequr qafe Serbia. Presidenti duhet t’i heqë duart nga politika e jashtme. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetues ia dha të drejtën për ta udhëhequr dialogun”.

“Serbia ka borxh ndaj Kosovës sepse ka bërë gjenocid, masakra, përdhunime. S’mund të ecim pa u rikthyer për këto çështje, s’mund ta konsiderojmë Serbinë si shtet normal dhe të shkojmë në SHBA dhe të firmosim marrëveshje”.

Haxhiu tha se ishin ata që e penguan një marrëveshje të keqe për Kosovën të gatuar nga presidenti serb dhe ai kosovar.

“Përpjekja e vazhdueshme e Thaçit dhe Vuçiqit, fatmirësisht, ishte e pasuksesshme falë rezistencës sonë të vazhdueshme. Asociacioni dhe një marrëveshje me territore janë të dëmshme për Kosovën”.

Nënkryetarja e Vetëvendosjes tha se edhe kjo temë ishte një ndër arsyet e rrëzimit të Qeverisë Kurti, ndërsa edhe si një shkaktar tjetër për rënien nga pushteti ishte droja e atyre partive që kanë dorë në degradimin e vendit dhe që kanë krijuar pasuri në kurriz të varfër. Sipas Haxhiut ata patën frikë nga reformat në drejtësi.

“I kemi përveshur mëngët edhe për hartimin e Ligjit për Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme. Përmes këtij ligji synohet që nëse prokurori vlerëson se Albulena Haxhiu ka pasuri në shpërputhje me pagën. Nëse kjo ndodh atëherë konfiskohet pasuria”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme