Federata e Futbollit e Kosovës ka vendosur t’ua zbresë pagat deri në 50 për qind punëtorëve të vet për, siç thotë, t’u dalë në ndihmë me gjëra ushqimore njerëzve në nevojë.
FFK-ja njoftoi se Komiteti Ekzekutiv i federatës e mbajti sot një takim për të diskutuar rreth gjendjes së futbollit në vend gjatë pandemisë koronavirus, ku vendosi për ulje page për punëtorët pas shqyrtimit të raportit të vet për vitin 2019.
“Sot mbajti mbledhjen e vet të radhës, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku diskutoi për situatën në futbollin e Kosovës, pas përhapjes së Pandemisë së Covid 19… KE trajtoi gjendjen dhe ecurinë e realizimit të projekteve infrastrukturore, të cilat edhe në këtë kohë të vështirë janë kryer shumë punë varësisht nga rrethanat e lejueshme dhe do të vazhdojnë edhe më tutje. KE shqyrtoi dhe miratoi Raportin Financiar për vitin 2019”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
“Duke parë gjendjen e rëndë me të cilën po ballafaqohet Kosova, KE mori vendim që pagat e të punësuarve në FFK, të ulen deri në 50 për qind e të cilat mjete do të shfrytëzohen për pako ushqimore për njerëzit me nevojë. KE shqyrtoi edhe kërkesat dhe Parashtresat drejtuar këtij organi”, thuhet tutje në njoftim.
KE-ja ka folur edhe për mundësitë e rifillimit të sezonit në Ipko Superligë gjatë këtij takimi.
“KE analizoi opsionet e mundshme për rifillimin e garave dhe për këtë FFK-ja është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet shtetërore, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministrinë e Shëndetësisë, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe KOK-un sikur edhe me UEFA-n dhe FIFA-n dhe varësisht prej situatës së shpejti pritet edhe të merret vendimi për garat në futbollin e Kosovës”.
FFK-ja e ka përpiluar një plan për rikthimin e skuadrave në stërvitje nga mesi i këtij muaji dhe kthimin në fushë me ndeshjet gjysmëfinale në Kupën e Kosovës nga 24 maji, ndërsa rifillimin e kampionatit nga 1 qershori.
Në vendimin e fundit të qeverisë për lehtësimin e masave, sporti lejohet nga 1 qershori, datë që për Federatën e Futbollit të Kosovës është shumë e vonshme për rinisjen e sezonit në Superligë.
Sezoni në Superligë u pezullua më 13 mars pas javës së 22-të, menjëherë pas rasteve të para me Covid-19 në vend.
Ipko Superliga i ka edhe 11 javë të mbetura, me Ballkanin që prin me 44 pikë, një më shumë se Drita në vendin e dytë.
FFK-ja është në pritje të një vendimi nga organet shtetërore për lejimin e rifillimit të sezonit më herët seç parashihet në planin e qeverisë.
Çeku: Gjatë luftës, Serbia shkatërroi afër 1 mijë e 800 monu...
Haxhiu: Prokuroria Speciale t’i përgjigjet kërkesës së Kurti...
AUV në pritje të analizave për mandarinat e importuara nga S...
Haxhiu: Serbia s’i dorëzon kriminelët e luftës, ne do t’i gj...
Vitia nënshkruan listën finale që i hap udhë jetësimit të Li...
Pritjet deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë