Google ADS

BERZH-i me parashikim të zymtë për GDP-në e Kosovës

15:52 | 13 Maj 2020
V. S.

Kosova do të pësojë rënie në Bruto Prodhimin Vendor (GDP) për 5,0 për qind më 2020-n si pasojë e ndikimit ekonomik të pandemisë me koronavirusin, ka thënë Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në raportin e fundit për parashikime makroekonomike.

Banka, megjithatë, pret që vendi të ringjallet më 2021-n me rritje të GDP-së për 7,5 për qind.

Sipas raportit të fundit, Kosova do të goditet në veçanti në remitenca, pasi, siç thotë BERZH-i, rënia në këtë aspekt do të jetë pothuajse e pashmangshme.

Megjithatë, Banka thotë se ringjallja do të varet nga lehtësimi gradual i masave të brendshme për t’u përballur me virusin dhe nga rikthimi në normalitet gjatë gjysmës së dytë të vitit, raporton “Zeri.info”.

Ekonomitë përgjatë rajoneve nën përgjegjësinë e BERZH-it mund të kontraktohen mesatarisht me 3,5 për qind këtë vit, me një rikthim prej 4,8 për qind të mundshëm në vitin 2021, thuhet në raport, duke paralajmëruar se parashikimet janë subjekt i “pasigurisë së paprecedentë”.

Kryeekonomistja e BERZH-it, Beata Javorcik, tha se tani që bota po del nga kriza është qenësore të shikohet përpara një të ardhmeje bashkëpunimi dhe një elasticiteti më të madh ekonomik.

“Kriza ka qenë një goditje masive dhe dalja nga ajo do të jetë po aq sfiduese. Nuk është koha për t’u përfshirë në nacionalizma ekonomikë dhe në proteksionizëm, por kohë për të formuar një të ardhme më të mirë përmes përkushtimit ndërkombëtar ndaj tregtisë së lirë, ndryshimeve klimatike dhe bashkëpunimit ekonomik”, tha ajo.

Raporti parasheh një ndikim modest të krizës në trajektoren afatgjate të rezultateve ekonomike, me rritjen që rifillon drejt fundit të tremujorit të tretë, por potencialisht me efekte më të mëdha afatgjata ekonomike, politike dhe sociale.

“Nëse distancimi social mbetet në fuqi për kohë më të gjatë se që parashikohet, recesioni mund të jetë shumë i thellë, me nivelet e prodhimit të vitit 2019 për kokë banori që nuk arrihen sërish për vitet e ardhshme”, thuhet në raport.

Pothuajse të gjitha vendet në të cilat investon BERZH-i me gjasë do të kenë rënie ekonomike këtë vit, me një numër të vogël përjashtimesh, duke përfshirë Turkemnistanin dhe Uzbekistanin, Azinë Qendrore dhe Egjiptin.

Edhe shtetet anëtare të BE-së në Evropën Juglindore me gjasë do të preken rëndë nga kriza me koronavirusin dhe një kanal i madh i shqetësimit do të jetë turizmi, në veçanti në Qipro, në Greqi e në Bullgari.

Në Ballkanin Perëndimor Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia Veriore dhe Serbia pritet të pësojnë nga prishja e zinxhirëve furnizues, për shkak të bazave të tyre të forta prodhuese. Shqipëria dhe Mali i Zi do të preken në turizëm, ndërsa në Kosovë dhe pjesërisht edhe në ekonomitë tjera të Ballkanit Perëndimor remitencat do ta ulin kërkesën e brendshme.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme