Google ADS

Presidenti Trump në hetim penal për të dhënat financiare, i implikuar edhe në një bankë evropiane

18:00 | 12 Maj 2020
Arditë Shkodra

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara shqyrton të martën tri çështje madhore në lidhje me përpjekjet e Dhomës së Përfaqësuesve të udhëhequr nga demokratët, si dhe të një jurie të madhe që po punon me një prokuror në qytetin e Nju Jorkut, për të marrë kopjet e të dhënave financiare të Presidentit Donald Trump.

Çështja gjyqësore pritet të shërbejë si test i kufijve të pushtetit presidencial në lidhje me Kongresin dhe prokurorët e shteteve amerikane.

Ndryshe nga presidentët e fundit, Presidenti Trump ka refuzuar të publikojë deklaratat e tij të taksave dhe materialet e tjera, që do të hidhnin dritë mbi shtrirjen e pasurisë së tij dhe biznesit të familjes së tij me pronat e patundshme.

Dy nga tre paditë kanë të bëjnë me përpjekjet e komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve që kërkojnë zbatimin e kërkesës së tyre që presidenti të dorëzojë dokumentacionin financiar të tre bizneseve të tij: firmës së hershme të kontabilitetit Mazars LLP dhe marrëdhëniet me dy banka, Deutsche Bank dhe Capital One.

Gjykata e Lartë i ka konsoliduar këto dy çështje dhe do t’i dëgjojë argumentet për to në një seancë të planifikuar të zgjasë një orë. Rasti tjetër ka të bëjë me një tjetër kërkesë të lëshuar për firmën Mazars për informacion të ngjashëm, përfshirë deklaratat e taksave, por kjo ishte lëshuar si pjesë e një hetimi të një jurie të madhe për Presidentin Trump që po kryhet në qytetin e Nju Jorkut. Gjykata e Lartë do të dëgjojë një argument verbal të dytë njëorësh për këtë rast.

Vendimet përkatëse pritet të jepen deri në fund të qershorit. Për të tri çështjet, gjykatat e niveleve më të ulëta në Uashington dhe Nju Jork vendosën kundër Presidentit Trump.

“Gjykata duhet të ndjehet e inkurajuar që parimet themelore që janë në diskutim këtu vërtetë shtrihen përtej administratës aktuale dhe se ka njerëz që kanë një interes në mirëmbajtjen e sistemit tonë të qeverisjes, pavarësisht se cila parti është në pushtet dhe pavarësisht nga kush është në Shtëpinë e Bardhë, besoj se është shumë e rëndësishme të sigurohemi që presidenti nuk është mbi ligjin”, thotë profesoresha Carolyn Shapiro, në Kolegjin Juridik Chicago-Kent.

Komisioni i Shërbimeve Financiare të Dhomës së Përfaqësuesve po heton për një pastrim të mundshëm parash në marrëveshjet rreth pasurive të patundshme në Shtetet e Bashkuara ku është përfshirë Presidenti Trump.

Në një hetim të veçantë, Komisioni i Zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve po heton nëse veprimet e Presidentit Trump e kanë shndërruar atë në subjekt të ndikimit të individëve ose qeverive të huaja.

Hetuesit shpresojnë se të dhënat do të zbulojnë nëse ka ndonjë lidhje financiare midis Presidentit Trump dhe qeverisë së Rusisë, thanë për agjencinë e lajmeve Reuters burime të njohura me hetimin.

Kjo do të përfshijë nëse ndonjë kredi për Presidentin Trump nga Deutsche Bank u garantua nga subjekte ruse – një marrëveshje financiare që mund të konsiderohet një formë siguracioni, thanë burimet.

Në kohën e inaugurimit të tij në Janar 2017, Presidenti Trump i kishte borxh bankës Deutsche Bank rreth 350 milionë dollarë, sipas burimeve. Shumë nga kreditë u dhanë përmes seksionit për kredi private të degës së Nju Jorkut të bankës Deutsche Bank, e cila u dha hua edhe dhëndrit dhe këshilltarit të Presidentit Trump, Jared Kushner.

Nëse Presidenti Trump i humbet çështjet, materiali do të duhet të dorëzohej tek ligjvënësit demokratë, me shumë të ngjarë para zgjedhjeve të 3 nëntorit në të cilat Presidenti Trump po kërkon një mandat të dytë katër vjeçar.

Vendimi do të sqaronte se presidenti, të paktën kur bëhet fjalë për informacionin e mbajtur nga palë të treta, nuk mund të bllokojë vendimet e Dhomës së Përfaqësuesve.

Presidenti Trump ka mohuar të ketë marrëdhënie biznesi me Rusinë dhe ka thënë se nuk mund të publikojë të dhënat e tij financiare për shkak se janë në proces auditimi. Juristët e tij argumentojnë se Kongresi nuk ka asnjë autoritet të lëshojë fletëthirrje.

Asnjë president në detyrë nuk është urdhëruar të dorëzojë të dhënat e tij personale, thonë ata. Ata gjithashtu thonë që edhe nëse Kongresi mund të lëshojë fletëporositë, atij i mungon një arsye e vlefshme legjislative për ta bërë këtë dhe nuk ka deklaruar me detaje të mjaftueshme përse i duhen dokumentet. Nëse gjykata do të pranonte argumentet e Presidentit Trump, kjo do të dobësonte aftësinë e Kongresit për të mbikëqyrur ekzekutivin.

Çështja e Nju Jorkut

Zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhatanit, Cyrus Vance, një demokrat, në shtator 2019 kërkoi deklaratat e taksave për një periudhë prej gati një dekade.

Kjo është pjesë e një hetimi penal që filloi në vitin 2018 ndaj Presidentit Trump dhe Organizatës Trump, biznesin e pasurive të patundshme të familjes, i nxitur nga zbulimi i pagesave të bëra për dy gra që thanë se kishin patur në të kaluarën marrëdhënie seksuale me zotin Trump.

Këto gra janë aktorja e filmave pornografikë Stormy Daniels dhe ish-modelja e revistës Playboy, Karen McDougal. Presidenti Trump dhe ndihmësit e tij kanë mohuar marrëdhëniet.

Juristët e Presidentit Trump argumentojnë se të dhënat e tij nuk mund të dorëzohen për shkak të autoritetit të tij si president sipas Kushtetutës, duke pretenduar se ai është imun nga çdo proces penal kur është në detyrë.

Ata kanë minimizuar vendimet e mëparshme të Gjykatës së Lartë në lidhje me kufijtë e shtrirjes së autoritetit presidencial dhe në vend të kësaj udhëzojnë drejtuesit e Departamentit të Drejtësisë të pohojnë se një president në detyrë nuk mund të paditet ose të ndiqet penalisht.

Në një seancë gjyqësore në një gjykatë të nivelit më të ulët, avokatët e Presidentit Trump shkuan deri aty sa të argumentojnë që zyrtarët e zbatimit të ligjit nuk do të kishin fuqinë për të hetuar Presidentin Trump edhe nëse ai qëllonte dikë me armë në bulevardin Fifth Avenue. /voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme