Google ADS

Kosovë, rreth 44 mijë të rinj janë në pritje të punës

11:51 | 12 Maj 2020
Arbresh.info

Papunësia tek të rinjtë e ka përcjellë edhe vitin që lamë pas.

Rreth 50% e të rinjve në Kosovë që janë të gatshëm për punë nuk janë të punësuar.

Nga gjithsej 87 mijë e 939 të rinj sa është fuqia punëtore e të rinjve në vend, vetëm 44 mijë e 521 janë të punësuar. Pjesa tjetër ose saktësisht 43.418 janë pa punë, shkruan arbresh.info.

Në mesin e të rinjve të punësuar vetëm 11 mijë e 346 janë femra ndërsa 33 mijë e 175 janë meshkuj.

Ndërsa tek të papunët mbi 17 mijë janë femra ndërsa mbi 26 mijë janë meshkuj.

“Bazuar në AFP-në e vitit 2019, 34.7% e të papunëve në Kosovë ishin të rinj (të moshës 15-24 vjeç) me 7.2 pikë diferencë midis meshkujve dhe femrave. Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së re është e papunë (49.4%) dhe shkalla e papunësisë tek rinia e gjinisë femërore është më e lartë (60.3%) krahasuar me meshkujt (44.1%)”, thuhet në raport.

Aty thuhet gjithashtu se të rinjtë në Kosovë kishin dy herë më shumë gjasa të ishin të papunë në krahasim me të rriturit, me shifra pothuajse të ngjashme për meshkujt dhe femrat.

Në rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP), për vitin 2019 të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), thuhet se nga rreth 1.8 milionë banorë sa është vlerësuar të jetë popullsia e përgjithshme e Kosovës në vitin 2019, mbi 1.2 milionë prej tyre janë në moshë të punës.

185 mijë të tjerë janë mbi moshën 65 vjeç, ndërsa 403 mijë nga zero deri në 14 vjeç.

“Pothuajse dy të tretat e popullsisë së Kosovës është në moshë pune (15-64 vjeç). Pritet që popullsia në moshë pune të rritet shpejt gjatë dekadës së ardhshme pasi Kosova është ndër vendet me popullsinë më të re në Evropë”, thuhet në raport.

E nga rreth gjysmë milioni ose saktësisht 488.485 sa është fuqia punëtorë në Kosovë vetëm pak mbi 363 mijë janë të punësuar./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme