Korab Gjana është njëri nga 30 mjekët dhe infermierët shqiptarë që u dërguan në Itali nga qeveria shqiptare për të ndihmuar popullin fqinj në luftën me koronavirusin.
Në një intervistë për arbresh.info, ai u shpreh se në Itali kanë qëndruar për një muaj të cilën italianët e kanë pritur në mënyrë madhështore.
“Kemi qëndruar në Itali afër 1 muaj. Qysh në momentin që jemi nisur nga Shqipëria, ka qenë një moment shumë emocionues. Jemi pritur në mënyrë madhështore nga italianët dhe deri në momentin e fundit jemi ndjerë shumë të privilegjuar dhe ka lënë kujtime të mira”, tha Gjana.
Ai deklaron se italianët ishin të befasuar shkaku se një shtet i varfër si Shqipëria, po i ndihmonte ata në ‘luftën’ me të madhe që e goditi botën, virusi Covid-19.
“Puna me mjekët italianë ishte e shkëlqyeshme dhe arritëm shumë shpejtë që t’ju japim krahë në dhënien e shërbimeve mjekësore pacientëve të prekur me Covid-19. Italianët ishin të befasuar me gjestin e Shqipërisë ngase jemi një shtet i varfër por i dërguam ndihma atyre në këto ditë të vështira. Ne jemi një popull me traditë që i ndihmojmë njerëzve që kanë nevojë. Kjo mirënjohje vërehej prej syve të tyre dhe kishin një respekt për shqiptarët”, u shpreh ai për Arbresh.info.
Infermieri , duke folur për eksperiencën e tij në Itali, thotë se kjo ka qenë provoja më e veçantë e karrierës së tij të deritanishme.
“Ishte një provojë shumë e veçantë sepse kishte të bëjë direkt me shpëtimin e jetëve. Përballja me numër të madh të pacientëve ishte e vështirë por, misioni ishte shumë i mirë dhe i vlefshëm në çdo aspekt”, tha ai.
Plaku italian që u shërua nga koronavirusi, nuk doli nga spitali pa u përshëndetur me stafin shqiptar
Teksa flet për kujtimet e tij në shtetin italian, infermieri Gjana, deklaron se kujtimi më i veçantë për të është plaku italian që e kishte fituar betejën me virusin dhe nuk po dilte nga spitali pa u përshëndetur me stafin shqiptar.
“Unë kam qëndruar në Spitalin e Breshas e cila gjendet në regjionin e Lombardisë. Në momentin që i thonin pacientëve që kemi ardhur nga Shqipëria kishin gëzim të paparë dhe na falënderonin gjithnjë. Ishin shumë të surprizuar, Kujtimi më i veçantë për mua ishte kur një pacient 83 vjeçar, ishte në gjendje të rëndë dhe mjekët kishin hequr dorë nga ai. Ai më pas gjeti forcën dhe arriti ta fitojë betejën me koronavirus. Përderisa unë isha në një dhomë duke u marrë me një pacient tjetër, ai nuk po dilte nga spitali pa e përshëndetur stafin e Shqipërisë. Kjo ishte kujtimi më i veçantë i imi”, u shpreh ai.
Korab Gjana, thotë se situata në Itali po shkon duke u stabilizuar.
“Ka ende infermierë shqiptarë që aktualisht gjendet në Itali. Në momentin që kemi shkuar, Italia ishte në kulmin e të prekurve me virus. Në 2 javët e fundit situata u përkeqësua shumë dhe u rritë numri i të prekurve dhe të vdekurve. Tashmë situata është më mirë, dhe shpresojmë që të mbyllet sa më shpejtë”, shprehet ai.
Në fund të bisedës ai kërkon edhe bashkëpunim më të thellë të Kosovës me Shqipërinë në sistemin shëndetësor.
“Kosova dhe Shqipëria është një familje e madhe, do kisha dëshirë që një ditë të kemi në njëjtin nivel të sistemit shëndetësor që të dyja shtete. Shpresoj që të dyja shtetet të investojnë më tepër në shëndetësi, dhe të arrijmë standarde më të larta”, tha Gjana./Alban Begolli/arbresh.info/
Sot nis ndërtimi i Parkut Industrial në Drenas, marrin pjesë...
Mo Salah bëri histori me fanellën e Liverpoolit pas dy golav...
Rama ndan fotografitë e një dite kuq e zi në Londër
Të paktën një i vdekur pas rrëzimit të një avioni mallrash n...
Media spanjolle: Vizitoni Shqipërinë për Krishtlindje, një p...
Sara qan dhe kërkon falje për situatën që u krijua, Xuxi e p...