Presidenti Donald Trump akuzoi të hënën demokratët po ecin shumë ngadalë me planet për të rihapur shtetet duke lehtësuar masat e bllokimit si pasojë e koronavirusit për avantazh politik, por ai nuk ofroi asnjë provë për të mbështetur pohimet e tij.
Presidenti republikan, i cili kandidon për t’u rizgjedhur në nëntor, po punon për të rihapur ekonominë e gjymtuar me shpejtësi në kundërshtim me rekomandimet e ekspertëve të shëndetësisë për një qasje më të kujdesshme për të shmangur një rigjallërim të virusit, që deri më tani ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 80 mijë vetëve në Shtetet e Bashkuara.
Zoti Trump i ka inkurajuar shtetet të lehtësojnë kufizimet e vendosura për të zbutur përhapjen e koronavirusit. Të hënën, ai shënjestroi shtetin që konsiderohet si fushe-betejë në garën zgjedhore, atë të Pensilvanisë, ku guvernatori është demokrat, zoti Tom Wolf.
“Njerëzit e jashtëzakonshëm të Pensilvanisë duan tashmë lirinë e tyre dhe janë plotësisht të vetëdijshëm për atë që kjo gjë nënkupton. Demokratët po lëvizin ngadalë, në të gjithë SHBA për qëllime politike. Po të ishte në dorë të tyre ata do të prisnin deri më 3 nëntor. Mos bëni lojra politike. Qëndroni të sigurt e lëvizni me shpejtësi”, shkruante zoti Trump në një postim në Twitter.
Disa nga shtetet më të goditura nga shpërthimi i koronavirusit që ka infektuar më shumë se 1.3 milionë vetë në mbarë vendin, udhëhiqen nga guvernatorë demokratë, përfshirë Nju Jorkun dhe Miçiganin, të dyja këto shtete të rëndësishme për zgjedhjet e 3 nëntorit mes zotit Trump dhe kandidatit presidencial demokrat Joe Biden. Zoti Trump ka inkurajuar rihapjet me postime në tweeter, duke u bërë thirrje njerëzve të “çlirojnë” shtetet e tyre, duke nxitur protesta në të gjithë vendin, përfshirë tubime të mëdha në kryeqytetin e Miçiganit, Lansing.
Politizimi i krizës shëndetësore po luhet edhe në nivel lokal, ndërsa demokratët dhe republikanët po përplasen rreth planeve për rihapjen e ekonomisë. Në Pensilvani, media njoftoi se disa lokalitete gjatë fundjavës i kërkuan guvernatorit që t’i vendosë rajonet e tyre në listën e atyre që do të rihapen. Zyrtarët e qytezës Lancaster i dërguan zotit Wolf një letër të shtunën duke e njoftuar atë se synojnë të bëjnë përpara me planet për t’u rihapur më 15 maj, përpara afatit që ka përcaktuar guvernatori për këtë zonë./voa/
Zelensky bën thirrje për një përgjigje të fortë ndaj shantaz...
Real Madridi e fiton “El Classicon” në basketboll
Sipas Haradinajt, opozita do t’i fitojë zgjedhjet
Roma i shpëton humbjes në momentet e fundit
Bretkosat mutante të Çernobilit po rishkruajnë historinë, çf...
Federata Evropiane e Gazetarëve pezullon llogarinë në platfo...