Afër 70 mijë qytetarë në Kosovë kanë punë të paqëndrueshme

13:03 | 11 Maj 2020
Arbresh.info

Rreth 20%  e të punësuarve në Kosovë kanë punë të paqëndrueshme.

Ata kryesisht janë të vetëpunësuar pa punonjës, ose që punojnë pa pagesë në një biznes familjar, shkruan arbresh.info.

Kështu bëhet e ditur në anketa e Fuqisë Punëtore për vitin 2019 të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Aty thuhet gjithashtu se këta punëtorë kanë gjasa më të ulëta të kenë një marrëveshje formale pune në krahasim me punëtorët me pagesë dhe rrogë.

“Përveç shkallës së ulët të punësimit në Kosovë, 18.8 % e personave të punësuar punonin në vende pune të paqëndrueshme. Punëtorët në punë të paqëndrueshme janë ose persona të vetëpunësuar pa punonjës, ose ata që punojnë pa pagesë në një biznes familjar. Këto dy grupe punëtorësh kanë gjasat më të ulta të kenë një marrëveshje formale pune në krahasim me punëtorët me pagesë dhe rrogë”, thuhet në raport.

Ndërsa shprehur në numër rreth 70 mijë të punësuar hynë në këtë kategori.

“Shprehur në numra absolutë, 68,357 persona nga 363,180 të punësuar i përkasin kategorisë së punësimit të paqëndrueshëm. Të punësuarit në fusha profesionale kanë më pak gjasa të jenë të punësuar në punë të paqëndrueshme, si dhe personat me nivel të lartë”, thuhet më tej në raport.

Prej tyre 20.3 % janë meshkuj ndërsa 13.9% janë femra.

“Meshkujt kanë më shumë gjasa të mbajnë punë të tilla të paqëndrueshme (20.3 % e meshkujve të punësuar krahasuar me 13.9% të femrave të punësuara)”, thuhet në anketa e Fuqisë Punëtore për vitin 2019 të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat (2/3) e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare.

Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 40.5%.

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për vitin 2019 është 30.1%.

Punësimi me i lartë është te meshkujt 46.2%, ndërsa punësimi te femrat është 13.9%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 53.0% të tyre. Ndërsa, meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, me 46.3%./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme