Turqia me ilaç, vaksinë e respiratorë, mund t’i ndihmojë edhe Kosovës e rajonit

10:03 | 11 Maj 2020
arbresh.info

Turqia tashmë ka aprovuar përdorimin e ilaçit kundër Covid-19, ka futur në testim vaksinën dhe ka filluar prodhimin e 5000 respiratorëve – që të gjitha këto prodhime vendore.

Besohet se edhe Kosova do te jetë përfituese e ilaçit, vaksinës dhe respiratorëve të prodhuara në Turqi kundër Covid-19.

Kështu ka bërë të ditur Ekrem Zajmi, student i doktoratës dhe Konsultant në zyrën e ”Türkiye Bursları” (Bursave të Turqisë) në Ankara.

Ai në një intervistë të dhënë për arbresh.info, deklaron se Turqia tashmë ka aprovuar përdorimin e një ilaçi kundër koronavirusit.

Nga ana tjetër ka filluar edhe testimi i vaksinës mbi kafshët, e cila është zhvilluar nga Universitetet Turke, si dhe prodhimi i respiratorëve nga të cilët pritet të përfitojnë edhe shtetet mike të Turqisë siç është edhe Kosova, shkruan arbresh.info.

Zajmi, duke folur për gjendjen aktuale të situatës së krijuar nga koronavirusi në Turqi, thotë se numri i të prekurve ka shënuar rënie të dukshme dhe si rezultat  ka filluar edhe tërheqja graduale e masave.

“Edhe Turqia si të gjitha vendet tjera po përballet me situatën e pandemisë. Numri i të infektuarve dhe numri i të vdekurve tashmë është duke u ulur. Sot kishte 47 të vdekur për fat të keq, por nëse e bëjmë një krahasim me të kaluarën, ka një rënie të dukshme. Deri më tani ka mbi 138 mijë të infektuar dhe mbi 92 mijë të shëruar. Duket se menaxhimi i kësaj situate është bërë në mënyrë të mirë nga qeveria turke”, tha Zajmi.

Ai duke e krahasuar Turqinë me Gjermaninë dhe Italinë, deklaroi se Turqia ka numër më të madh të shtretërve të kujdesit intensiv.

“Nëse e bëjmë një krahasim të Turqisë me Italinë ose Gjermaninë, ku kjo e fundit ka pothuajse numrin e barabartë të popullsisë me Turqinë, atëherë del se Turqia ka rreth 40 shtretër të kujdesit intensiv për 100 mijë banorë, Italia ka rreth 13, ndërkaq Gjermania ka rreth 29 sosh, kjo sigurisht që ka ndikuar dukshëm në mbajtjen nën kontroll të vdekjeve përkundër numrit të të infektuarve”, shtoi Zajmi.

Ditëve të fundit, ka filluar edhe zbutja e masave të marra në lidhje me koronavirusin. Nga fillimi i kësaj jave do të filloj hapja e disa bizneseve, qendrave tregtare por natyrisht duke iu nënshtruar distancës sociale dhe masave të tjera mbrojtëse. Planifikohet që deri në festën e bajramit të hiqen shumica e masave”, shprehet ai.

Më tutje Ekrem Zajmi, ka theksuar se Turqia tashmë ka aprovuar përdorimin e ilaçit kundër Covid-19, ka futur në testim vaksinën dhe ka filluar prodhimin e 5000 respiratorëve – që të gjitha këto prodhime vendore.

“Ajo që duhet të theksoj është se institucionet përkatëse të Turqisë kanë aprovuar përdorimin e një ilaçi në shërimin e pacientëve të prekur me koronavirus. Ndërkohë që si rezultat i bashkëpunimit të disa universiteteve ka filluar testimi i vaksinës kundër virusit. Turqia, në muajin e kaluar po ashtu ka filluar prodhimin e respiratorëve dhe deri në fund të këtij muaji planifikohet që të prodhohen 5000 sosh. Sipas një deklarimi të presidentit të vendit këtu në Turqi, përfituese pritet të jenë edhe vendet mike të Turqisë, e ndër të cilat sigurisht që është edhe vendi ynë Kosova”, shprehet Zajmi.

Kujtojmë se gjatë muajit të kaluar një avion ushtarak mallrash i Turqisë ishte ngritur nga Ankaraja për të dërguar ndihma mjekësore  në Kosovë dhe disa vende tjera të Ballkanit Perëndimor në kuadër të luftës kundër koronavirusit./AlbanBegolli/arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme