Google ADS

Mesazhi i Mevlüt Çavuşoğlu për Ditën e Evropës

12:24 | 9 Maj 2020
Arbresh.info

Turqia është e hapur për bashkëpunim të sinqertë dhe domethënës me Bashkimin Evropian (BE) për një të ardhme të përbashkët, tha ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu me rastin e Ditës së Evropës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Dita e Evropës, e njohur gjithashtu si Dita e Schuman-it, shënohet më 9 maj çdo vit për të përkujtuar Deklaratën e Schuman-it në vitin 1950 që propozoi formimin e Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut, paraardhësit të BE-së.

Në një mesazh, Çavuşoğlu tha se Turqia, vend kandidat për anëtarësimin në BE, është e gatshme të ofrojë të gjitha llojet e mbështetjes që blloku të jetë një aktor global i përgjegjshëm, i qëndrueshëm dhe parimor.

Duke nënvizuar domosdoshmërinë për reformë në BE, kryediplomati turk tha se anëtarësimi i Turqisë do ta bënte Brukselin më të fortë në luftën kundër koronavirusit, si dhe në të gjitha çështjet.

Ai tha se intensifikimi i konkurrencës gjeopolitike, kërcënimet ndaj multilateralizmit dhe konfliktet rajonale po “testojnë” botën dhe se blloku evropian ka nevojë për forcimin e vetvetes me aleanca të reja dhe përmirësimin e bashkëpunimit dhe solidaritetit me aleatët e tij ekzistues për t’i zgjidhur këto sfida.

Çavuşoğlu theksoi se nevoja e shteteve anëtare dhe bashkësisë ndërkombëtare për një BE të fortë dhe gjithëpërfshirëse do të rritet.

Qëndrimi i Turqisë gjatë krizës së koronavirusit tregoi se Ankaraja është e gatshme të bashkëpunojë, shtoi ai.

Ai gjithashtu theksoi se rritja e bashkëpunimit në të gjitha fushat nuk do të ishte e rëndësishme vetëm për BE-në, por edhe për rajonin dhe të ardhmen e sistemit ndërkombëtar.

Turqia aplikoi për anëtarësimin në BE në vitin 1987 dhe bisedimet e pranimit filluan në 2005.

Megjithatë, negociatat u ndërprenë në vitin 2007 për shkak të kundërshtimeve të administratës greke qipriote në ishullin e ndarë të Qipros si dhe kundërshtimit të Gjermanisë dhe Francës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme